Pas një muaji agjërim e lutje besimtarët myslimanë në vendin tonë e kudo në botë, sot festojnë Fitër Bajramin.

Dhjetëra besimtarë në Durrës kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në xhaminë e madhe të qytetit bregdetar.

Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë ka nisur në 6:00 të mëngjesit. Pas ceremonisë së drejtuar nga Imami i xhamisë, besimtarët kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë.

Ndërsa do të vijojnë me mbledhjen rreth tryezës me familjarët në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës.

Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë.

Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.