Mëngjesin e sotëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka inspektuar Portin e Durrësit, në kuadër të inspektimit të masave në pikat e kalimit kufitar.
Në këtë port, vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë mbi 110 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me rreth 25 mijë mjete dhe kanë dalë rreth 32 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj me rreth 9 mijë mjete.
Veliu ka parë nga afër procedurat e kontrollit dhe krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes së gjatë për të hyrë si pasojë e fluksit në rritje çdo ditë. Ai u ka kërkuar punonjësve të policisë në sportele që të jenë të angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, dhe të ofrojnë një shërbim sa më cilësor dhe në kohë.
Gjithashtu ka porositur drejtuesit e Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, që në raste të fluksit të madh të aplikojnë procedurat e përshpejtuara, por pa lënë mënjanë kontrollin e personave apo mjeteve të dyshimta.
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar kontroll rigoroz të dokumentacionit të qytetarëve dhe të plotësimit të kushteve për të lëvizur në hapësirën Schengen, me qëllim parandalimin e atyre personave që kanë për qëllim lëvizjen në vendet e BE-së për të kërkuar azil.
Veliu ka theksuar se është prioritet kryesor i Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të parandaluar këtë fenomen.
Policia e Shtetit krahas masave të rrepta që po aplikon qoftë në pikat e kalimit apo në patrullimet e shtuara në kufirin e gjelbër, po bashkëpunon ngushtësisht me partnerët, për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që kanë mundur të kalojnë kufirin për të kërkuar më pas azil në vendet e BE-së.
Gjithashtu Veliu ka diskutuar me drejtuesit e Policisë Kufitare, që të bashkëpunohet me Policinë italiane kryesisht në Bari, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjithë ata persona që shesin polica sigurimi false, nisur kjo edhe nga denoncimet e shtuara të qytetarëve, të cilët kanë blerë në portin e Barit nga shtetas shqiptarë, siguracion automjetesh të falsifikuar.
Veliu ka përgëzuar punonjësit e Policisë Kufitare për reagimin e shpejtë në ndihmë të plazhistëve në nevojë, apo në evidentimin dhe ndëshkimin e personave, të cilët me mjetet lundruese shkelin perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar rezultatet e arritura, ku gjatë muajit korrik janë kapur 10 persona në kërkim, si dhe janë evidentuar dhe goditur 37 raste të paligjshmërisë, nga të cilat:
• “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë” – 5 raste
• “Falsifikimi i letrave me vlerë” – 12 raste
• “Falsifikim i pasaportave, letërnjoftimeve, vizave” – 4 raste
• “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” – 12 raste
• “Trafikimi mjeteve motorike” – 3 raste
• “Braktisja e fëmijës së mitur” – 1 rast
• “Dhënia e ndihmës për kalim paligjshëm të kufirit shtetëror – 1 rast
Në mbyllje të inspektimit, Veliu ka kërkuar një vëmendje dhe kontroll të detajuar edhe në drejtim të parandalimit të trafikimit të lëndëve narkotike, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, me shërbimet doganore dhe homologët italianë.