Ndotja mjedisore e shkaktuar nga djegia e mbeturinave urbane në fushën e grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano është një shqetësim madhor për të gjithë qytetarët e Durrësit.
Javën e kaluar, studentët e UAMD-së protestuan pranë fushës së plehrave, ndërsa një ditë më pas, banorë të Sukthit të ri ngritën zërin për ndotjen alarmante që i shkaktohet të gjithë zonës nga djegia e mbeturinave në qiell të hapur.
Nuk është një gjë e re që shpeshherë edhe kazanëve të mbeturinave në lagje të ndryshme të Durrësit u vihet zjarri. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr.17, ku siç duket nga pamjet filmike dy kazanë janë përfshirë nga flakët, duke shtuar edhe më tepër sasinë e ndotjes në ajrin që thithim çdo ditë. Të rrezikuara nga flakët kanë qenë edhe automjetet e parkuara aty pranë.
Ndërkohë, urdhri i dytë i dhënë sot Policisë së Shtetit nga zv/ministri Sandër Lleshi ishte ai ku i kërkon Policisë të marrë masa urgjente dhe të mbajë nën kontroll situatën duke bashkëpunuar me institucionet vendore.
Në listen e qarqeve më problematike përsa i përket ndotjes, Lleshi ka renditur të parin pikërisht Durrësin.
“Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre. Informacionet e fundit tregojnë se Qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës.
Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit”,- thotë Lleshi në letrën e tij drejtuar Policisë së Shtetit.





