Një peshkarexhë në Durrës u përfshi nga flakët mesditën e sotme teksa ndodhej 6 milje nga bregu, në drejtim perëndim të Porto Romanos.

Djegia e peshkarexhës në det u pikas edhe nga toka, siç duket nga kjo foto që ka mbërritur në redaksinë e DurrësLajm. Tymi i zi që ngrihej nga peshkarexha e përfshirë nga flakët arrinte shumë metra lart, ndërsa dallohej qartë, me sy të lirë nga toka. 

Operacioni i kërkim-shpëtimit për 3 peshkatarët që ishin hedhur në det u realizua nga Roja Bregdetare, Guardia di Finanza, Policia Kufitare, me angazhimin edhe të mjeteve të emergjencës së APD-së.

Operacioni finalizoi me sukses shpëtimin e jetës së 3 marinarëve që ndodheshin në bordin e peshkarexhës “ANGELO”. Në fotot e publikuara nga APD janë momentet kur 3 peshkatarët kanë mbërritur në port dhe shoqërohen drejt ambulancës për të marrë ndihmën e parë.