Protestës së banorëve të Kodër Vilës që kërkojnë pezullimin e një kompleksi banimi me katër pallate 5 katësh pasditen e sotme i janë bashkuar edhe krerët e PD së Durrësit.

Ferdinand Xhaferaj, kreu i degës lokale, hodhi akuza ndaj kreut të bashkisë Vangjush Dako dhe zyrtarëve të tjerë të bashkisë për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë zonë.

Për disa momente, Xhaferaj u konfliktua edhe me pronarët e truallit, të cilët i kërkuan që të mos hyjë në pronë private. Më pas, të gjithë protestuesit kanë dalë nga kantieri i firmës së ndërtimit dhe kanë protestuar në ambient publik.

Xhaferaj tha se nuk janë kundër pronarëve të truallit, por kundër korrupsionit që Vangjush Dako ka bërë me lejet e ndërtimit në këtë zonë që është konsideruar mushkëria e qytetit.

Akuza u ngritën edhe në drejtim të gjykatës që i hapi rrugë nisjes së ndërtimeve në këtë zonë. Ndërkohë, banorët e zonës së Kodër Vilës thanë se do të vijojnë me protestat në ditët në vijim.

K.H.