Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka pritur në takim ambasadoren franceze Christina Vasak dhe delegacionin francez të Institutit të Studimeve të Larta të Mbrojtjes Kombëtare(IHEDN) të cilët po vizitojnë vendin tonë.

Pjesëtarët e delegacionit të ardhur nga Franca kanë shfaqur një interes të madh për qytetin e Durrësit. Po kështu gjatë gjithë bashkëbisedimit me kryebashkiaken Sako i cili u zhvillua në gjuhën frënge ata janë interesuar për shumë cështje që kanë të bëjnë me qytetin bregdetar dhe vendin tonë.

Një nga temat e disktuara ishte hapja e negociatave ku kryebashkiakja Sako e vuri theksin te rëndësia e madhe që ka hapja e tyre për Shqipërinë. Delegacioni francez ka shfaqur interes në lidhje fushatën elektorale meqënëse në Durrës ishin në garë dy kandidate femra.

Po kështu ata pyetën lidhur me prioritetet e kryebashkiakes Sako në drejtimin e qytetit dhe vështirësitë e një detyre të tillë. Nga ana e saj kryebashkiakja Sako deklaroi se fushata ishte qytetare dhe se pas fushatës ka nisur me përkushtim puna në shërbim të banorëve.

Sako i ka njohur pjesëmarrësit me sfidat e vështira të drejtimit të qytetit të dytë më të rëndësishëm të Shqipërisë ndërkohë që i ka njohur edhe me prioritetet që ka ajo në drejtimin e këtij qyteti si dhe punën që po bëhet që nga momenti i marrjes së kësaj detyre.

Një temë ku të pranishmit u ndalën gjatë ishte edhe tërmeti që goditi Durrësin dhe pasojat e tij ku kryebashkiakja Sako pasi ka bërë një përmbledhje të asaj që ka shkaktuar kjo fatkeqësi në qytetin bregdetar, shprehu mirënjohjen për solidaritetin kombëtar dhe ndërkombëtar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti dhe se kjo mbështetje po ndihmon qytetin të kalojë këto vështirësi.

Po kështu delegaconi francez ka pyetur kryebashkiaken për lidhjet e saj me Francën dhe gjuhën frënge. Kryetarja e bashkisë Valbona Sako e cila është edhe presidente nderi e Aleancës Franceze në Durrës deklaroi se lidhjet e saj me Francën, artin dhe kulturën e këtij shteti dhe gjuhën frënge janë mjaft të forta dhe kanë filluar herët. Pas këtij takimi mjaft miqësor me kryebashkiaken Sako delegacioni francez ka zhvilluar edhe një vizitë në qytetin e Durrësit.