Ishin triumfuesit e edicionit të parë të projektit teatror “Moisiu i ri” dhe në cilësinë e fituesit u takonte atyre të hapin mbrëmjen e së hënës siparin e 3 premierave, që do të shfaqen për publikun durrsak në sallën e QKF Durrës.
Tragjedia “Medea” erdhi nën regjinë e Najada Elmazit dhe interpretimin e nxënësve të shkollës së mesme “Naim Frashëri” duke dëshmuar se edhe aktorë jo profesionistë mund të vënë në skenë shfaqje teatrore të realizuara bukur.
Për regjisoren Najada Elmazi, puna me nxnënësit ka qenë sa e bukur aq edhe e vështirë, por në fund gjithçka që ka rëndësi është përfundimi.
Për nxënësit, pjesëmarrja në këtë projekt ishte një arritje e rëndësishme, që i lidhi edhe më shumë me botën e artit dhe teatrit.
Irsa Vila, e cila interpreton Medean, vjen në këtë premierë me çmimin “Aktorja më e mirë”. Ajo nënvizon se përgjatë provave ka provuar një sërë ndjesish, por është mjaft e kënaqur që së bashku me bashkëmoshatarët e saj u përshtatën mjaft mirë me rolet.
Premierat e shfaqjeve të nxënësve të shkollave të mesme do të vijojnë këtë të martë me komedinë “Boeing Boeing” nga nxënësit e gjimnazit ‘Gjergj Kastrioti”, ndërsa të enjten do të ngjiten në skenë gjimnazistët e “Olsi Lasko” me komedinë e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”.
M.B.





