Kur u mendua që u arrit zgjidhja për dhënien fund të plagës gjysmëshekullore të largimit të plehrave nga zona e Porto-Romanos, një problem edhe më i madh është shfaqur këto ditë, çka rrezikon Durrësin që të përfshihet në një kolaps të madh mjedisor.

Muaj më parë, u vendos që këto plehra do të depozitoheshin në landfillin e Sharrës, ndërsa Porto-Romano do të mbyllej e do të nisin ndërkohë punimet për ta shndërruar në një park të madh.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë që kryeministri Rama mbajti më 6 dhjetor 2019, dha urdhër të prerë për evakuimin dhe mbylljen e Porto-Romanos dhe “Plehrat e Durrësit do të shkojnë në landfillin e Tiranës”.

Por, “DurrësLajm” mëson se për shkak të mungesës së kapaciteteve nga ana e vendorëve në Durrës, nuk është bërë e mundur që plehrat të dërgohen deri në Tiranë.

Projekti ka devijuar gjatë rrugës dhe u mendua që vendgrumbullimi i plehrave të bëhej në Sukth ose Maminas. Në Sukth teksa nisën punimet për krijimin e hapësirës së re ku do të grumbulloheshin mbetjet, banorët e zonës janë ngritur në një protestë që prej ditës së djeshme dhe nuk lejojnë shërbimet e Komunales të depozitojnë aty plehrat.

Në një komunikim me “DurrësLajm”, Drejtori i Komunales së Plazhit, Alfred Dhuli, thotë se aktualisht kamionët e ngarkuar kanë mbetur të bllokuar në ndërmarrje, ndërsa janë në pritje të një përgjgjeje nga ana e qeverisë se si do të marrë zgjidhje kjo çështje e ku do të depozitohen plehrat.

Teksa Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është ende në udhëkryq se si do të marrë drejtim çështja e plehrave, problemi theksohet akoma edhe më shumë për shkak të temperaturave të larta që përkon me stinës e verës në të cilën ndodhemi, dhe situata paraqitet kritike nga rrezikimi i përhapjes së infeksioneve.

S.L.