Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një shtëpi të pabanuar në lagjen nr.16 të qytetit të Durrësit.

Shtëpia e përfshirë nga flakët ndodhet në rrugën “Marin Barleti” dhe sipas informacioneve të para është e pabanuar prej vitesh, por aty hyjnë e dalin shpesh persona të pastrehë apo të komunitetit rom, që e përdorin për të fjetur.

Pamjet filmike të mbërritura në redaksinë e DurrësLajm tregojnë flakët e mëdha që kanë përfshirë objektin, ndërkohë që efektivët e zjarrfikëses sapo kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për neutralizimin e zjarrit. Puna e zjarrikësve duket e vështirë, pasi zjarri ka marrë përmasa të mëdha.

Mësohet se edhe herë të tjera ky objekt është përfshirë nga flakët, por asnjëherë nuk ka qenë zjarri i përmasave të tilla.

Burime policore bëjnë të ditur për DurrësLajm se nga zjarri ka vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar në njerëz. Ndërkohë zjarri ka mundur të shuhet dhe zjarrfikësit po punojnë për zbulimin e shkakut të shpërthimit të flakëve në banesë.