I infektuari i sotëm në Durrës që e çoi në 9 numrin e të prekurve me COVID-19, mësohet se punon në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit, te departamenti i Burimeve Njerëzore.

Punonjësi i policisë ka disa ditë i izoluar dhe nuk ka burim vatre për përhapjen e koronavirusit te kolegët e tjerë, të paktën deri më tani.

Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë sot, mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19 duke e çuar numrin e të infektuarve në 146 qytetarë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Krujë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, përveç rasteve të zbuluara, për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

 •       Tiranë            83 qytetarë

•        Durrës            9 qytetarë

•        Lushnje          4 qytetarë

•        Elbasan         3 qytetarë

•        Fier              14  qytetarë

•        Rrogozhinë  2qytetarë

•        Kavajë            4 qytetarë

•        Korcë             11 qytetarë

•        Vlorë              5 qytetarë

•        Shkodër          3 qytetarë

•        Lezhe             4 qytetarë

•        Berat              1 qytetar

•        Has                 2 qytetarë

*      Krujë                1 qytetar