Përmes një postimi në Facebook, Ambasada amerikane ka publikuar me anë të një videoje, emrat e zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve të shtetit shqiptar që iu ndalohet hyrja në SHBA. Videoja shërben si ilustrim për mesazhin që ka dhënë sot Ambasada se qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën.

“ Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”, shkruhet në faqen zyrtare të Ambasadës.

Ambasada thekson se Sekretari i Shtetit ka përcaktuar publikisht rreth 100 persona në mbarë botën, 14 prej të cilëve shqiptarë, që u është ndaluar hyrja në SHBA.

Këtu përmenden rastet e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla, ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe deputetit  Tom Doshi, të cilëve iu ndalohet hyrja përgjithmonë së bashku me gratë respektive dhe fëmijët e gjithësecilit. Ambasada njofton se të tjerë pritet të jenë në listë, sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara, që përcakton ndalimin për korrupsionin madhor.