Ashtu siç u njoftuan edhe një ditë më parë, forcat e IKMT-së kanë shkuar sot në lagjen nr.15 të Durrësit, në zonën e Porto-Romanos, për të shembur banesën e familjes Mishka.

Por familjarët janë përplasur me forcat e IKMT-së, pasi pretendojnë se po u bëhet padrejtësi.

Në vendin e ngjarjes po asistojnë edhe forca të shumta policie, si dhe të pranishëm janë edhe forca nga OSHEE.

Në një prononcim që Imer Mishka dha një ditë më parë për “DurrësLajm”, deklaroi se banesa e tyre është ndërtuar që në vitin 1991 në atë zonë dhe pasi kanë aplikuar për t'u pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2006, në 2011-n ka dalë VKM-ja për të legalizuar ndërtesën e tyre një katëshe.

Ai thotë së pavarësisht VKM-së, shtëpia e tyre është përjashtuar nga ky proces pas disa vitesh dhe për këtë ka trokitur në shumë dyer insitucionesh.

Ndërkohë ata janë lajmëruar vetëm dy ditë më parë që banesa e tyre e vetme do të shembet, duke përfunduar kështu në mes të katër rrugëve.