Bedri Dervishi, pronari i një prej dy mjeteve i cili u përfshi nga flakët pas mesnatës, në lagjen numër 4 në Durrës, kërkon zbardhjen e ngjarjes.

Dervishi, i përfshirë në një konflikt gjyqësor me kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës për një ndërtesë në hyrje të portit detar, ngjarje e ndodhur disa muaj më pare, tha për DurrësLajm, se përvec këtij konflikti nuk ka asnjë çështje tjetër të hapur.

Dervishi tha se zjarrvënia ka qënë e qëllimshme dhe sipas tij kjo ngjarje ka lidhje me banesën e tij, e cila nuk është legalizuar por IMT ka nxjerrë vendim për prishjen e saj.

Në këtë zonë kalojnë shinat e trenit. Një pjesë e ndërtimeve aty janë legalizuar, ndërsa Dervishi është në një betejë ligjore me kreun e IMT, Ardian Halili. Halili me herët ka denoncuar në polici bashkëshorten dhe vajzën e Dervishit pas kërcënimit me jetë që ka marrë.

Ndërkaq policia e Durrësit është duke hetuar për zbardhjen e ngjarjes së djegies së dy automjeteve në lagjen nr.4.

K.H.