Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me Noel Dishin, vrasësin e Vilson Tafçiut. Ky i fundit u vra në Astir më 20 janar. Teksa sot Dishi ka dalë para gjykatës, BalkanWeb shkruan se ai është marrë peng dy vite e gjysmë më parë në Durrës.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se ai është mbajtur në një bagazh makine nga tre persona dhe pas disa orësh është lënë i lirë në Vorë. Rrëmbimi u hetua nga Krimet e Rënda por me shkrirjen e tyre dosja i kalua në prokurorinë e Durrësit.

Ditën e ngjarjes Dishi ishte në prokurorinë e Durrësit ku dha deklarime për rrëmbimin. Nga salla e gjyqit ai dha detaje nga momentet pak para krimit, ndërsa deklaroi se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja u telefonua nga Vilson Noka Tafciu dhe e lanë të takoheshin tek një lokal në zonën e Astirit. (Lokali ku ndodhi ngjarja).

“Debatuam dhe Vilsoni më tha se “do ta bëj me keq sesa ta kanë bërë. Do të mbaj në bagazh të makinës dhe do ta thyej koken”. Më pas edhe me shau. Tentova të largohesha, por ai vijonte me të njëjtën mënyrë. Atëherë e kam qëlluar. U trondita kur kuptova se çfarë bëra.”, tha Dishi.

Ndërkohë, arma e krimit dhe celulari i Dishit nuk janë gjetur nga policia.