Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e fregatës turke “TCG Orucreis” F-245, kapiten i rangut të parë Ahmet Burak Adeli i shoqëruar nga atasheun ushtarak i Republikës së Turqisë i akredituar në vendin tonë, kolonel Şakir Cumhur Somer dhe oficerët të anijes kapter Fatih Kilic, major Oguz Turanli.
Fregata turke TCG Orucreis F-245 ka ardhur në portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak dypalësh për vitin 2018 midis Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare (FD) shqiptare me Flotën Detare të Republikës së Turqisë. Komandanti i fregatës turke Ahmet Burak Adeli dhe anëtarët e tjerë të delegacionit i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës qytet i cili i ka lënë mbresë ushtarakëve turq.
Më pas ata kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Vangjush Dako i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet.
Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Kryebashkiaku Dako dhe komandanti i anijes turke Adeli si dhe atasheu ushtarak turk Somer kanë shkëmbyer edhe dhuratat e rastit e më pas komandanti i anijes dhe oficerët e tjerë kanë zhvilluar vizita në institucionet kulturore të qytetit, si muzeu arkeologjik, amfiteatër etj.