Andon Shkodra 59 vjeç, durrsak i vjetër, banor i lagjes numër 18 në Durrës, ka tentuar të djegë veten e tij me benzinë, për herë të tretë brenda 10 ditësh.

Shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, që daton në fillim të këtij muaji, ku Shkodrës i  urdhërohet të lërë banesën ku jeton.

Me një shishe benzinë në dorë në orën 11 të paradites 59-vjeçari ka hyrë në ambientet e gjykatës dhe në mënyrë demonstrative ka tentuar të spërkatet me benzinë, por është ndaluar nga një punonjës policie që gjendej aty. Dëshmitarët pohuan se burri u ndalua në momentin e fundit nga polici i gjykatës.

Shkodra është dërguar në polici, në gjendje të rënduar mendore.

Burimet policore bënë me dije se kjo është hera e dytë brenda 48 orësh, që 59-vjeçari tenton të vetëdigjet në gjykatë.

Sipas të njëjtave burime disa vjet në parë Shkodra i ka dhënë truallin e banesën ku jetonte një firme për të ndërtuar një pallat. Marrëveshja e bërë me pronarin e firmës nuk është zbatuar, pasi pronari i kompanisë ndërtuese ka ndërruar jetë.

Më pas Shkodra ka kërkuar hyrje, por me vendim gjykate është nxjerrë nga banesa pas ndërtimit të pallatit. Pretendimet e tij kanë të bëjnë me truallin që ka dhënë për banesën që nuk ka përfituar”,-  pohojnë burimet e policisë së Durrësit të cilat e kanë marrë në pyetje .

K.H.