Kryeministri Edi Rama ishte sërish në Durrës mbrëmjen e sotme duke inspektuar disa nga objektet ku janë realizuar shembjet dhe po tërhiqen inertet.

Ministri Bledi Çuçi i tha kryeministrit se deri më tani janë 26 pallate apo ndërtesa disa katëshe në Durrës që do shemben, ndërkohë që janë 12 investitorë që kanë shfaqur gatishmërinë për të nisur riparimet e dëmeve në pallatet që kanë ndërtuar.

Kryeministri Rama tha se e rëndësishme është që 90% e godinave i kanë strukturat e forta, ndërkohë që riparimet duhet të nisin sa më shpejt dhe të bëhen me cilësi. Ai kërkoi mbikqyrje të rreptë për riparimet që do të bëhen.

“Nuk u duhet lënë atyre ta bëjnë riparimin sikur po bëjnë bamirësi, ata duhet ta bëjnë fiks dhe duhen monitoruar menjëherë. Nëse një pjesë fillojnë tani ta mbyllin brenda muajit, pra për vit të ri. Kështu çlirojmë edhe një pjesë të njerëzve, sepse ikin nga hotelet ku janë strehuar dhe futen brenda. Duhet me u marrë urgjentisht me këtë gjë”,- tha kryeministri Rama.

Ndërkohë mësohet se janë rreth 60 ndërtues në Durrës dhe po plotësohet formulari për ta në bashki. Ministri Çuçi i tha kryeministrit se do t’i pajisin me leje ndërtuesit që do fillojnë punën për riparimet në godinat shumëkatëshe.

Por ajo që bëri përshtypje në fund të lidhjes live të kryeministrit Rama nga Durrësi ishte fjala që i tha ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili i foli për disa letra. Dako shihet teksa qëndron pas ministrit Bledi Çuçi, kur ky i fundit diskuton me kryeministrin.

“Për ato letrat po bëj unë ndonjë gjë, mirë?”,– i tha Dako, Ramës ndersa ky i fundit po largohej dhe kryeministri ju përgjigj: Ok.

Ajo që nuk kuptohet qartë është se për cilat letra bëhet fjalë…

Pjesë nga fundi i bisedës:

Rama: Dëgjo, me këto…me këta 12 që janë gati merru vetë…

Çuçi: Për lejet, po

Rama: Çfarë lejesh more, vjen supervizori në kokë aty dhe mbaroi ky film. Pastaj ata tjerët vijnë me radhë që të fillojë

Çuçi: Të kthehet puna

Rama: Po

Dako: Për ato letrat po bëj unë ndonjë gjë, mirë?

Rama: Ok.

Por nuk kuptohet qartë se për cilat letra bëhet fjalë.“Për ato letrat”, Vangjush Dako shfaqet mes rrënojave me Ramën, lë mister bisedën