Pas denoncimit në Fiks Fare, ministri i Mjedisit urdhëron hetim të plotë dhe mbyllje të aktivitetit të paligjshëm e kriminal në fushën e ndotjes mjedisore, të fabrikës së përpunimit të nënprodukteve të naftës dhe mbetjeve të tjera të rrezikshme te Shkëmbi i Kavajës në Durrës.

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi inspektoi nga afër fabrikën ku ushtrojnë aktivitet shoqëritë Rada Oil dhe Bi Tech Industries të të njëjtit pronar (Martin Fisheku).

Ministri Klosi sulmoi dhe organin e prokurorisë së Durrësit që ka mbyllur çështjen duke lejuar këtë aktivitet të paligjshëm në dëm të banorëve dhe krejt zonës turistike.

“Jemi në kushtet e disa shkeljeve të rënda. Prokuroria duke mbyllur çështjen, ka dëshmuar se sa shumë nevojë kemi ne për vetingun në këto organe. Këtu nuk do të kenë më aktivitet”, tha Klosi.

Gjatë këtij inspektimi, administratori i subjektit deklaroi se nga veprimtaria e impianteve të përpunimit e prodhimit të bitumit, edhe pse pa licencë e leje mjedisore, nuk ka ndotje në mjedis.

Ministri kërkoi mbylljen e menjëhershme të aktivitetit të dy shoqërive dhe ndërhyrjen e inspektoriatit të ndërtimit për prishjen e dy impianteve të ndërtuara, ndërsa paralajmëroi inspektorët e kontrollit teknik dhe mjedisit se hetimi do të shtrihet dhe mbi procedurën e ndjekur prej tyre në ushtrimin e detyrës për këtë rast flagrant. /TCH