Sikundër edhe kishin lajmëruar, studentët që qëndruan për më shumë se një muaj të ngujuar në ambjentet e Fakultetit të Juridikut kanë liruar godinën.

Studentët madje janë treguar edhe bashkëpunëtorë, duke rikthyer në vend karriget dhe bankat që për ditë të tëra shërbyen si barikada në korridore.

Vendimi vjen në prag te sezonit të provimeve dhe pas kërkesës së bërë nga senati akademik i Universitetit të Tiranës.

“Vendosëm që shkolla të hapet me dëshirën e shumicës, por protesta nuk ka mbaruar. Do fillojë sërish por le të jetë një kohë reflektimi për të gjithë”, shprehet nje student.

“Një arsye është se nis sezoni dhe jemi shumë mbrapa, prandaj duhet të kthehemi sa më shpejt në auditore”, u shpreh nje tjeter.

Edhe pse një pjesë e kërkesave mbeten ende pa zgjidhje studentët thonë se protesta ja doli të kthejë vëmendjen tek problemet e arsimit të lartë.