Forcat xheniere dhe ato të IMKT-së rrethuan sot pallatin në qendër të Durrësit, për të cilin është marrë vendimi për ta shembur, pasi rezultoi i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Efektivët nisën punën për të hapur vrimat për vendosjen e eksplozivit, pasi pavarësisht protestave të banorëve për ta shembur pallatin me mjete të rënda, godina 6 katëshe do të shembet me tritol.

Ndërsa punonjësit bënin ndërhyrjet e nevojshme në godina, zona rreth e qark ishte rrethuar nga efektivët e policisë bashkiake si dhe shumë kureshtarë që ndiqnin nga afër të gjithë procesin.

Ndërkohë, bizneset e zonës dhe banorët e pallateve rreth e qark u shprehën të indinjuar që propozimet e tyre për ta shembur godinën me mjete të rënda ranë në vesh të shurdhët.

Për më tepër, askush nuk u ka shkuar deri më tani në mënyrë zyrtare për t’u komunikuar se çfarë duhet të bëjnë realisht për të evituar dëmet që mund të shkaktohen në biznese e shtëpi nga forca goditëse e lëndës plasëse.

Pak ditë më parë, banorët deklaruan se zgjidhja më e mirë për ta do të ishte shembja me mjete të rënda, pasi e gjithë zona rreth e qark ka dendësi të madhe pallatesh e biznesesh, shumë prej të cilave kanë bërë edhe riparimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Sapo kemi riparuar një palë dëme, tani po duan të na shkaktojnë të tjera”– thanë banorët, për DurrësLajm më herët gjatë javës.

Shembja me shpërthim të komanduar të pallatit të Vip-ave në Durrës do të realizohet ditën e enjte, rreth mesditës. Bashkia e Durrësit pritet të japë javën e ardhshme udhëzimet specifike për masat që duhet të marrin bizneset dhe qytetarët në pallatet rreth e qark, për të evituar dëmet nga vala goditëse e shpërthimit.

M.B.