Ndërsa të gjitha strukturat e policisë, ato të shërbimit inteligjent por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me operacionin Forca e Ligjit po kalojnë në sitë të gjithë mjetet luksoze, një urdhër i  ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj u kërkon drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor të pezullojnë çdo targim të mjeteve të blinduara që hyjnë rishtaz në Shqipëri, dhe të mos rinovojnë asnjë dokument të këtyre mjeteve për vitin 2020.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës, Kreshnik Tërnova, i cili tha se udhëzimi sqaron se personat që disponojnë një mjet të tillë duhet të paraqiten në Ministrinë e Brendshme dhe do jetë kjo e fundit që do t’i pajisë me leje të veçantë nëse duan të kryjnë procedurat e targimit dhe lejes së qarkullimit.

Në udhëzimin e dërguar, ministri Lleshaj thotë se konstatohet se mjetet e blinduara posedohen nga individë me precedentë penal dhe vihet re mungesë informacioni në rastet e ndërrimit të pronësisë së këtyre mjetve apo edhe problematika të tjera që vijnë nga hyrja në doganë.

Nuk dihet sa është numri i mjeteve të blinduara që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë sepse nuk është mbajtur një database për to, por prej tre muajsh nuk po lejohet më pajisja me dokumentacion të rinovuar  dhe targimi i tyre.

K.H.