Kurimi i pacientëve me COVID-19 në Shqipëri shpesh është bërë në mënyrë të pavarur nga mjekët dhe kjo ka sjellënjë shqetësim të shtuar të autoriteteve.

Në një postim në mediat sociale, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë pacientëve që janë me COVID, por dhe sëmundje të tjera që të kenë kujdes kur përdorin antibiotik.

Sipas ministrisë, antibiotikët merren vetëm kur sugjerohen nga mjekët dhe duhet të përdoren siç janë parashikuar në recetë.

“Kujdes: Antibiotikët merren vetëm me udhëzimet e mjekëve‍‍  Jo vetëm në këtë situatë të epidemisë, por gjithmonë, këto këshilla duhen pasur parasysh gjatë përdorimit të antibiotikëve:

Konsultohuni gjithmonë me mjekun dhe farmacistin para se t’i përdorni. Përfundoni mjekimin që ju jep mjeku dhe zbatojeni atë me përpikmëri.

Në farmaci, antibiotikun duhet ta kërkoni duke paraqitur recetën e mjekut. Mos këmbëngulni të merrni antibiotikë nëse mjeku nuk e rekomandon. Kurrë mos përdorni antibiotikë që ju kanë mbetur nga mjekimi i kaluar, ose t’ia jepni dikujt tjetër”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.