Dy pikat e rendit të ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës u miratuan sot në unanimitet të plotë nga 29 anëtarët e pranishëm.

E vetmja pikë që u shty për në mbledhjen e radhës ishte pika 4, pasi u shtua mbrëmjen e së mërkurës dhe anëtarët nuk kishin pasur kohë ta shqyrtonin materialin.

Ndërkohë, dy këshilltarët Leila Çollaku dhe Denisa Luarasi, i drejtuan nga një pyetje kryebashkiakes Emiriana Sako lidhur me procesin e rindërtimit.

Çollaku kërkoi të dinte se kur do të përgatitet lista me emrat e përfituesve nga hapja për herë të dytë e aplikimit në platformën “Shtëpia ime”.

Kryebashkiakja tha se aktualisht stafi i bashkisë është duke punuar me 2500 aplikimet e bëra gjatë muajit korrik, ndërsa shumë shpejt do të kalojë për miratim në KB lista e përfituesve. Sako tha se nuk pritet të ketë më rihapje të aplikimeve online, pasi në të kundërt procesi do të bëhej i pakuptimtë.

Ajo theksoi se nëse do të ketë persona të skualifikuar, do të lihet një afat i caktuar kohor për të bërë ankimimet përkatëse.

Ndërsa pyetjes së këshilltares Denisa Luarasi, se kur do të nisë procesi i riparimit të ambienteve të përbashkëta në pallatet e para viteve ’90, kryetarja e bashkisë deklaroi se procesi pritet të nisë në këto pallate në fund të gushtit, ose fillim të shtatorit.

Ndërkohë, Sako bëri të ditur se që nga nisja e firmosjes së kontratave mes bashkisë dhe qytetarëve për përfitimin e grantit të rindërtimit, janë lidhur rreth 6000 kontrata, ndërsa është lëvruar granti për rreth 4400 familje.

Pikat që u miratuan:

1.Për miratimin e familjeve përfituese te ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin korrik 2020

2.Mbi propozimin për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të listës së inventarit për pasuritë pyje dhe kullota, parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 433, datë 08.06.2016 “për transferimin në pronësi të bashkive të pyjeve dhe të kullotave publike, sipas listave të inventarit, dhe aktualisht në administrim të ministrisë së mjedisit e të ish-Komunave/bashkive”.

Përveç dy vendimeve të miratuara këshilltarët u informuan edhe për raportin lidhur me punën e këshillit bashkiak për 6 – mujorin e parë të vitit 2020.