Zyrat e hipotekës, legalizimeve dhe kthimit të pronave, nga 1 shkurti i 2019-s do të bashkohen në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Paralelisht, qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj që merret me trajtimin e proceseve që lidhen me kthimin e pronave, legalizimin e ndërtimeve pa leje, me tokën e shpërndarë me ligjin 7501, si dhe inventarizimin e pronave shtetërore.

Ndërkohë, Agjencia e Kadastrës do të jetë e organizuar në nivel qendror dhe lokal.

“Legjislacioni i ri i përmbledh të gjitha këto procese në një ligj të vetëm. Besoj se i pari që do të mbyllet do të jetë procesi i legalizimeve dhe i fundit në kohë që do të mbyllet është procesi i trajtimit të pronës, sepse vet ligji i trajtimit të pronës e parashikon me afat 10-vjeçar”, tha Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri. Fillimisht ky institucion do të ketë mbështetje buxhetore, ndërsa më pas do të kalojë gradualisht me vetëfinancim, duke shfrytëzuar tarifat e shërbimit.