Pak ditë pas ultimatumit dhënë nga Kryeministri për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove brenda 31 dhjetorit 2018, duket se po ndjehen efektet në Durrës . Një pjesë e pikave të basteve kanë nisur të heqin tabelat e vendosura sipër bizneseve duke i paraprirë situatës.

Tashmë në rrugët e Durrësit nuk është vështirë të gjesh nga ato biznese që operojnë në këtë sektor, të cilët edhe pse kanë lënë funksionale pikat e basteve, kanë vendosur të heqin shenjat dalluese si logo, tabela apo xhama të loguar. Në lagjet e brendshme janë mbyllur pothuajse pikat e bastet sportive, ndërsa televizorë e pajisje të tjera po shiten nën kosto. Kjo ka bërë që të shtohen të papunët.

Në qytetin e Durrësit ndodhen zyrtarisht rreth 130 pika bastesh sportive, 4 kazino dhe 2 bingo, që janë të licencuara. Realisht numri i tyre është më i madh, por funksionojnë në informalitet.

Efektet negative të funksionimit të këtyre bizneseve janë shumë të rënda për të rinjtë në përgjithësi, por dhe për familjet durrake. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që në janar të këtij viti këto biznese të largohen nga rrugët kryesore në të cilat funksionojnë.

Fakt është se kudo nëpër qytetin e Durrësit vihet re prania e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ato janë vendosur shumë pranë shkollave apo në mes të bulevardit, çka ka bërë që të rinjve t’iu hyjnë në gjak këto lojëra fati që janë pa asnjë dobi për shoqërinë.

Aksioni “Fundi i marrëzisë” që u mbështet gjerësisht 5 vite të shkuara në qytetin bregdetar, nuk i dha fund pranisë së pikave që nxisin vesin e kumarit pranë qendrave të banuara. Në qytet, vesi dhe varësia ndaj kumarit kanë shkatërruar mjaft familje.

Kryeministri Edi Rama tha se ligji për lojërat e fatit do të ndryshojë duke shtuar edhe pikat e basteve sportive tek aktivitetet që nuk do të funksionojnë më, pas 31 dhjetorit 2018 ndërkohë që e njëjta gjë vlen edhe për kazinotë elektronike.

K.H.