Në Durrës ka nisur sot lundrimi i anijes së parë turistike, Happy Regina, duke shtuar kapacitetet për turistët, të cilët vizitojnë Shqipërinë.

Ministri Blendi Klosi ishte i pranishëm dhe tha se, “është pak e habitshme pse kaq vonë, por mbase edhe sot që kemi anijen e parë kuptojmë që sa probleme kemi me këtë fushë, me këtë biznes, me rregullat sesi lundrohet, ku parkohet, cilat janë lehtësirat që duhet të marrin këta investitorë përsa i përket menaxhimit më të thjeshtë të këtyre anijeve turistike dhe të mos ngatërrohen me problematikat që kanë biznesi i jahteve apo gjërave që kalojnë kufirin. Pra ka problematika të cilat ne duhet t’i zgjidhim të gjithë së bashku. Por unë më shumë se kaq dhe prandaj kërkuam ta realizojmë këtu në mes të detit një takim me të gjithë ju, investitorët e hoteleve të bregdetit të Durrësit dhe më gjerë se kaq, me të gjithë kryetarët e shoqatave që shumë faleminderit që jemi bashkë këtu për të hapur një debat të ri në vendin tonë që ka të bëjë me turizmin e detit. Unë ju siguroj që ju duhet ta rishikoni këtë pjesë të biznesit pasi ai zhvillim që shikojmë që këtu që ka ndodhur në rërë, shumë shpejt duhet të ndodhë edhe në det. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të disafishojë potencialin e saj turistik duke investuar në biznesin e detit. Ky vend duhet të ishte plot me jahte, me anije të shpejta me gjithë biznesin që ofron deti por dhe shërbimin që duhet të ketë në tokë, për detin. Tani jeni në një fazë që ju pothuajse i keni mbaruar hotelet tuaja, jeni në fazën e shtimit të hoteleve të reja, por kjo nuk mjafton. Ne na duhet që ta disafishojmë potencialin tonë duke folur për detin, për marinat, për portet e medha apo të vogla të jahteve por edhe për shërbimin që duhet të krijojmë në det”, tha ministri Klosi.

Klosi gjithashtu tha se mbase ai agresiviteti i Vlorës do të vijë edhe në Durrës që të shtohen anijet. Ne Vlorë vjet ka pasur 2 anije, sivjet ka 27 anije.

Postimi i ministrit Klosi: 

Nis lundrimin anija turistike në qytetin bregdetar të Durrësit. Shtojmë kapacitetet turistike, zhvillojmë industrinë e turizmit, zgjerojmë hartën e vendeve, që duhen vizituar nga turistët. Shqipëria, mundësi për të disafishuar potencialin e saj turistik, përmes investimeve në biznesin e turizmit te detit, industri ende e pazhvilluar në vendin tonë. Në Vlorë kemi 27 anije turistike në bregdet. Edhe për Durrësin ky është vetëm fillimi! 
#HappyRegina lundron çdo ditë nga Mali i Robit në drejtim të plazheve të ndryshme të Durrësit, duke ofruar shërbim të certifikuar dhe me standarde për turistët!