Task-Forca e bashkisë së Durrësit, me pjesëmarrje të inspektorëve të Policisë Bashkiake, të urbanistikës, nga Drejtoria Detare e polica kufitare, kanë zbarkuar në zonën bregdetare të Durrësit, për të verifikuar masat e marra nga operatorët turistikë, njëkohësisht edhe për t’ju kërkuar largimin dhe heqjen e gardheve që kanë shëmtuar bregdetin duke e parcelizuar atë.

Sezoni turistik i këtij viti ka nxjerrë në pah problemin e vjetër të parcelizimit të rërës dhe detit. Gardhe me tela dhe beton në det dhe në rërë duke treguar se edhe deti tashmë ka pronar.

I gjithë bregdeti i Adriatikut është lënë nën pushtetin e subjekteve të cilat vetëm pse zotërojnë leje shfrytëzimi ndjehen të plotëfuqishëm të kufizojnë hapësirat dhe qarkullimin e pushuesve. Në plazhin e Malit të Robit kjo situatë është tejet problematike.

Parcelizimi i plazhit nuk lejon pushuesit të kalojnë lirshëm e të bëjnë shëtitje në bregdet. Të gjithë operatorëve u janë lënë detyra, dhe kush nuk i zbaton ato në mënyrë rigoroze nuk do i jepet leja e shfrytëzimit të plazhit.

Bashkia e Durrësit këtë vit ka vonuar dhënien e lejeve të shfrytëzimit të plazhit me qëllim që t’ju jepte kohë operatorëve për të plotësuar kushtet e kërkuara nga VKM përkatëse për ushtrimin e plazheve publike.

Fenomeni “tokë e zanun” ka zbritur në det. Gardhet me tela, bankinat me gurë e beton e çdo ndërhyrje tjetër në det e ka transformuar vijën bregdetare. Këtë perlë që natyra i ka dhuruar me bujari vendit, papërgjegjshmëria e autoriteteve dhe agjencive ligj zbatuese po ia shkatërron çdo ditë e më shumë.

K.H.