Me ftesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 18 delegacione nga vende të ndryshme të botës, në përbërje të të cilëve janë 43 anëtarë të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, kanë mbërritur këto ditë në Shqipëri për të ndjekur nga afër përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit.
Pasditen e sotme, delegacionet vizituan KZAZ nr. 24 në Durrës, e vendosur në ambientet e shkollës “Jan Kukuzeli”, ku panë nga afër punën e bërë deri më tani nga administrata zgjedhore lokale.
Në deklaratat e dhëna për DurrësLajm, përfaqësuesit e huaj u shprehën pozitivisht për organizimin dhe angazhimin institucional që kanë parë si në Tiranë, ashtu edhe në Durrës. Ata vlerësuan punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe KZAZ-ve në terren, duke e cilësuar procesin si të rregullt dhe transparent.
Ata shprehën gjithashtu besim të plotë se edhe procesi i votimit dhe më pas ai i numërimit të votave do të zhvillohen normalisht, duke i dhënë kështu një ogur të mirë të ardhmes europiane të vendit.
Kryetari i KQZ-së në Azerbajxhan, Rovzat A. Gasimov tha se është një hap mjaft i rëndësishëm për procesin zgjedhor, që për herë të parë më 11 maj do të votojë edhe diaspora, mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë por që duan të shprehin përmes votës vullnetin e tyre për ata që do të jenë përfaqësuesit e tyre të ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë.
M.B.