Gazetari i ‘Bild’ Peter Tiede ka reaguar sërish në lidhje me padinë e ngritur ndaj tij nga Kryeministri Rama. Ai ka shkruar në Facebook se Rama ka kërkuar shërbimet e një prej avokatëve më të shtrenjtë në Gjermani.

“Oh, zoti Rama … Çmenduri: Kryeministri i Shqipërisë Rama dëshiron të më padisë mua. Ai tashmë ka të paktën një avokat – në fund të fundit, një nga ato më të shtrenjtët në Gjermani … por ai nuk ka më shumë …Ndërkohë, ai ka bërë fushatë për zgjedhjet e anuluara – të mbrojtura nga më shumë se 1000 oficerë policie…”, shkruan Tiede.

Vetë Kryeministri Rama në statusin e tij në Twitter e përmendi me emër avokatin Matthias Prinz të cilit i kishte dorëzuar prokurën për të nisur procesin gjyqësor ndaj Peter Tiedes.

Prinz ka zyrën e tij ligjore në Hamburg. Ai është një emër i njohur për mediat gjermane dhe gjithashtu një ndër të preferuarit e personazheve ‘VIP’ si artistë, biznesmenë dhe aristokratë me tituj.

Mesa duket ai është një avokat që merret ekskluzivisht me çështjet që kanë të bëjnë me mediat. Prof. Prinz ka ndikuar shumë persa i takon hartimit të ligjeve të medias dhe ka mbrojtur edhe raste të cilësuara historike në Gjykatën Federale të Drejtësisë, në Gjykatën Kushtetuese federale gjermane si dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për gazetarët në Gjermani dhe në Hamburg ai nuk është një personazh i preferuar madje shpesh konsiderohet si armik i shtypit të lirë sipas ‘Welt’.

“Përkundrazi, jam kundër gazetarisë së keqe. Jam kundër historive të sajuara. Artikujt e sajuar nuk kanë lidhje me gazetarinë, njerëzit e humbasin besimin tek media” shprehet ai avokati gjerman një interviste në WELT.

Sipas biografisë së tij zyrtare në website-in e studios ligjore, Prof. Matthias Prinz ka studiuar në universitetin e Hamburgut e më pas në Harvard. Ai ka punuar avokat në New York nga vitin 1984 e më pas rikthehet për të punuar në Hamburg një vit më vonë.

Si për ironi, avokati i njohur në vitet 80’ ka shkruar pikërisht në gazetën ‘Bild’ disa artikuj në një hapësirë të tijën ku shkruante për qytetin e Hamburgut. Tashmë ai duhet të mbrojë kryeministrin e Shqipërisë kundër saj. Ende nuk dihet qartë se me çfarë ka të bëjë padia e kryeministrit Rama ndaj Peter Tiedes.