Policia e Durrësit sekuestron në një shtëpi të pabanuarr 3 armë zjarri dhe një sasi droge.
Armët e sekuestruara janë dy automatikë me silenciator, të përshtatur si snajper, të pajisur me dylbi dhe një pistoletë. Armët dhe sasia e drogës janë gjetur në një banesë private të pabanuar, te Shkëmbi i Kavajës.
Shërbimi Përmbarimor ka shkuar rreth orës 15.00 te shtëpia në fjalë, pasi mbi të rëndonte një sekuestro bankare dhe ka gjetur armët dhe një sasi të vogël droge.
Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur për DurrësLajm se pronari i banesës rezulton të jetë një emigrant shqiptar në SHBA.
Nuk dihet ende nëse pronari ia ka dhënë me qira dikujt për ta përdorur shtëpinë apo nëse e ka lënë nën kujdesin e ndonjë të afërmi.
Policia e Durrësit pritet të kontaktojë me shtetasin në fjalë, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, për të zbardhur më shumë detaje mbi këtë ngjarje.
Ndërkohë armët janë çuar për ekspertim në laboratorin e krminalistikës, pasi dyshohet se ato mund të jenë përdorur në ndonjë krim të regjistruar në Durrës, ose në ndonjë qytet tjetër të vendit.
K.H.