Edhe sot policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë vijuar me gjobitjen e të gjithë qytetarëve të Durrësit që vazhdonin të qarkullonin në qendër të qytetit, përtej orarit 17.30, kur edhe hyn në fuqi ndalim qarkullimi.

Siç duket qartë nga fotot dhe pamjet filmike që po publikojmë, efektivë të shumtë të policisë gjobisin qytetarë të ndryshëm, kryesisht të rinj, të cilët kanë dalë jashtë, në orarin kur duhet të mbylleshin në shtëpi.

Pas një tolerimi rreth dy javor, kur qytetarë të ndryshëm shiheshin të qarkullonin nëpër rrugë dhe shëtitoren “Taulantia” gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, situata ka ndryshuar që nga dita e diel, e javës së kaluar.

Në fundjavë qytetarëve u këshillohej të ktheheshin në shtëpi, ndërsa ditët e fundit, policia gjobit të pabindurit.

Durrësi mbetet në zonën e kuqe dhe numëron 9 raste aktive me Covid-19, nga të cilët 7 u regjistruan vetëm sot, punonjëse në një fasoneri të qytetit.