Lirohet një pjesë e lulishtes në Vollga, që ishte kthyer pa leje në parking privat nga një lokal i shëtitores.

Policia Bashkiake e Durrësit, duke marrë në konsideratë ankesat nga qytetarët drejtuar në komisariatin dixhital të Policisë së Shtetit, të cilët janë ankuar se në shëtitoren “Taulantia”, te një bar-restorant është zënë hapësira publike me tavolina, karrike, vazo betoni, konstrukte metalike si dhe është bërë tjetërsimi i lulishtes në parking privat, mori menjëherë masat nga ana e saj.

Pas verifikimit nga ana e Policisë Bashkiake në bashkëpunim dhe me policinë e rendit të qarkut Durrës, u konstatua se ky subjekt kishte zënë hapësira publike lulishte, si dhe kishte tjetërsuar një pjesë të lulishtes në parking privat. Të gjitha këto pa leje dhe pa paguar taksat pranë bashkisë Durrës, thanë burime nga Policia Bashkiake për “DurrësLajm”.

Kështu, këtë të martë u morën masa për lirimin e kësaj hapësire publike që ishte uzurpuar nga ky subjekt. Aksioni u krye në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me ndërmarrjen Rruga.