Nga Mila Ballhysa

Dy investime të rëndësishme, Veliera dhe shëtitorja “Taulantia”, që po realizohen në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Durrësit janë drejt përfundimit. Shumë pranë njëra – tjetrës, ato së bashku arrijnë një vlerë investimi rreth 9 milionë euro.

Që në nisje të tij, projekti i sheshit “Veliera” u shoqërua me mjaft kundërshti nga grupe të shoqërisë civile, ndërsa proceset gjyqësore ndaj institucioneve shtetërore si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe bashkia Durrës ende vijojnë.

Prej rreth një viti, durrsakët presin përfundimin e saj dhe vendosjen e Velës, nga e cila mori emrin dhe sheshi, por projekti i studios italiane Archea dhe arkitektit Marco Casamonti vazhdon të rrëmbejë para të tjera dhe ende nuk ka përfunduar. Gjatë vitit 2020, për Velierën u shpenzuan 850 milionë lekë të vjetra, por edhe pasi të vendoset Vela, para të tjera do të duhet të lëvrohen për veshjen e saj.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako bën të ditur se për veshjen e Velierës, bashkia do t’i drejtohet qeverisë me një kërkesë për fonde shtesë.

“Na u desh të akordonim para të tjera nga buxheti i bashkisë, pasi projekti kishte nevojë për përforcim. Strukturat metalike që janë vendosur nën dhe’, sipër mbikalimit, do të hiqen sapo të instalohet Vela. Për veshjen e saj ne do t’i drejtohemi qeverisë për të na akorduar një fond shtesë”,- thotë Sako.

Por projektet që serviren në fillim me një vlerë të caktuar dhe më pas kërkojnë fonde shtesë për t’u përfunduar, shihen nga urbanisti Ardian Muka si investime korruptive.

“Një projekt që merr një fond fillestar, i shtohet edhe 20% e vlerës dhe kërkon sërish para ka vetëm një emër: Korrupsion. Njëkohësisht mund të flasim edhe për papërgjegjshmëri nga ana e projektuesve dhe zbatuesve të saj”,- thotë Muka.

Shëtitorja Taulantia  

Drejt përfundimit është edhe shëtitorja bregdetare, ku vendin e gjelbërimit të fotove 3D të projektit të prezantuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit e kanë zënë pllakat dhe betoni. Urbanisti Muka ngre një tjetër shqetësim, pasi sipas tij në këtë investim të realizuar buzë detit nuk janë kryer punimet konform standardeve të kërkuara.

“Është hedhur beton që për mendimin tim është jashtë kushteve cilësore, pasi kur bëhet fjalë për projekte të tilla buzë detit betoni duhej të trajtohej me çimento speciale. Në prezencë të kripës duhen përdorur çimento antisulfat, që nuk hyjnë në reaksion me të. Me kalimin e kohës ky investim do nxjerrë në pah problematikat e veta”,- thotë Muka.

Në të njëjtën kohë urbanisti vlerëson se dy projektet miliona euro i kanë sjellë më shumë probleme qytetit sesa benefite. Veliera dështoi t’i jepte zgjidhje problematikës së transportit në këtë nyje të rëndësishme përsa i përket lëvizjes së mjeteve, por edhe këmbësorëve.

Deri në përfundim të projektit, pritet të vlerësohet nëse investimi që kërkoi mijëra metra kub beton do të shndërrohet në një “nga simbolet moderne të Durrësit dhe në një hapësirë për këmbësorin, për argëtimin dhe një pikëtakimi në ambient të hapur por e mbuluar”, siç shprehej arkitekti Casamonti gjatë prezantimit të projektit vite më parë.

I pyetur lidhur me investimet e realizuara gjatë viteve të fundit në Durrës, arkitekti i njohur Edgar Frashëri shpreh keqardhjen e tij për faktin se këto projekte nuk garantojnë një perspektivë zhvillimi në qytetin bregdetar.

“Durrësit nuk i është siguruar perspektivë zhvillimi për veçorinë e tij si qytet. Nuk ka një plan rregullues të detajuar që në këto 30 vite nuk kanë dashur ta bëjnë sepse plani (bëhet ligj ndërtimi) lidh duart e atyre që kanë abuzuar me qytetin. Durrsakët si indiferentë klasikë nuk kanë marrë vesh sesi është luajtur në kurriz të qytetit të tyre. E kanë marrë vesh kur i ka dalë tymi. Përfaqësuesit e qytetit në vendimmarrje kanë qenë lehtësisht të korruptuar nga shtetarët e rradhës”,- thotë Frashëri.

Kullat buzë detit

Rreth 3 javë më parë, fillimisht ish-deputetja e PD-së Fatbardha Kadiu dhe më pas nënkryetari i PD Durrës, Arlind Boshku publikuan statuse në rrjete sociale ku denonconin ndërtimin e një kulle në breg të detit, pranë dy kullave (siç njihen në Durrës).

Pas Tiranes kullat shpërthejne dhe në Durres. 7 milion euro shkuan per velieren, rreth 3.5 milion euro per “lungomare”…

Posted by Fatbardha Kadiu on Friday, October 30, 2020

Sipas Kadiut dhe Boshkut, rikonstruksioni i shëtitores “Taulantia” u bë për t’u shtuar vlerën kullave.

Krimi i radhës në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar Durrës, tek shëtitorja Taulantia e cila u rikonstruktua me bujë të…

Posted by Arlind Boshku on Thursday, November 5, 2020

“Shëtitorja “Taulantia” e cila u rikonstruktua me bujë të madhe, paguar me taksat e qytetarëve, në funksion të një kulle prej 25 katësh!”,- shkruante ndër të tjera Arlind Boshku.

Citizens Channel mëson se ngjitur me shëtitoren bregdetare është miratuar tashmë nga Këshilli Kombëtar i Territorit ndërtimi i një hoteli 16 katësh, ndërsa shumë pranë tij pritet të ndërtohet edhe një tjetër hotel shumëkatësh. Aktualisht vetëm për njërin prej hoteleve është miratuar leja e ndërtimit, por punimet s’kanë nisur akoma.

Dy godinat shumëkatëshe janë projektuar si hotele qyteti, por pritet të kenë edhe ambiente të tjera shërbimi dhe biznesi. Vlera e investimit mund të shkojë në 10-15 milionë euro. Ajo që bën përshtypje janë detajet shumë minimale që ekzistojnë për këtë projekt, pasi e vetmja që qarkullon është një printscreen e një cilësie të ulët, ku të vetmet që dallohen qartë janë miratimi i dhënë nga kryeministri Rama dhe ministri i Mjedisit Blendi Klosi dhe forma eliptike që pritet të ketë hoteli shumëkatësh.

Projektet e “florinjta” në qytetin që përmbytet me shirat e parë

Mbrëmjen e 15 tetorit, rrugët e Durrësit ishin nën pushtetin e ujit. Për të dytën herë brenda një jave, qyteti bregdetar i përngjante Venecias. Investimet e vazhdueshme për rikonstruksionin e akseve rrugore dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për qytetarët.

Përmbytjes nuk i shpëton as rruga “Taulantia”, që ecën paralelisht me shëtitoren dhe përshkon një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Përmbyten edhe pjesë të rrugës “Egnatia” e cila të çon tek “Veliera”. Dy projekte ambicioze, me vlerë miliona euro, por që rrethohen nga akse rrugore që mbulohen nga uji në shiun e radhës.

Durrësi është një qytet turistik, por i goditur rëndë 12 muajt e fundit fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia Covid-19.

Rimëkëmbja e Durrësit do të kërkojë kohë, pasi në qytet janë ende mjaft të dukshme pasojat e tërmetit, në sheshet e rrethuara aty ku më parë ngriheshin pallatet e shembura, në pallatet me muret e “kafshuara” apo në godinat shkollore të mbetura shkretë, pasi presin radhën për t’u shembur e ndërtuar nga e para.

Kur bashkia akordoi 850 milionë lekë të tjera për “Velierën”, shumë qytetarë u revoltuan në rrjete sociale, pasi këto miliona mund të ishin përdorur për të riparuar disa nga dëmet e shkaktuara nga lëkundja e frikshme.

Shumë qytetarëve, shëtitorja “Taulantia” u përngjet me një pistë aeroporti. Të tjerë ndihen mirë që tashmë vendin e lodrave apo ambulantëve që mbinin kudo në shëtitore e ka zënë një hapësirë e gjerë që shtrihet drejt detit, ndërsa fushëpamja ta shfaq detin Adriatik në gjithë madhështinë e tij.

Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, në fund të ditës qytetarët duhet të shtrojnë pyetjet: A ia vlejti përqendrimi i miliona eurove investime në vetëm disa qindra metra katrorë të qytetit? Çfarë të mire i sollën qytetit në aspektin urban? A do të arrijë Veliera e Casamontit të thithë turistë të huaj e të vlerësohet prej tyre, apo do të jetë një vepër moderne që nuk arrin të jetë në simbiozë me Torrën Veneciane apo muret rrethuese të qytetit? A u realizua një investim publik në favor të një kulle shumëkatëshe në breg të detit?!