“Skandal!”, “Tmerr i vërtetë!”, “Faqja e zezë!”

Këto janë vetëm disa nga përkufizimet që drejtuesit e mjeteve përdorin për të përshkruar shqetësimet që u krijohen nga punimet në disa prej rrugëve kryesore të Durrësit.

Trafik i rënduar, bori automjetesh që i dëgjon në çdo orë të ditës, rrugë të bllokuara, mjete të rënda dhë autobuzë që qarkullojnë në rrugë të ngushta, rotonda të stërmëdha dhe trotuare të gjera, akrobacira nëpër mjete rrethanore për të kaluar trotuaret që kanë nisur të mbushen.

Kjo është panorama me të cilët përballen çdo ditë kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve. Prej muajsh, punimet që po realizohen në akset “Egnatia” (loti i dytë) dhe “Dëshmorët” po sforcojnë nervat e drejtuesve të mjeteve. Nga ana tjetër, shpesh kalimtarët detyrohen të ecin në anë të rrugës, sepse në trotuare po kryhen punime.   

“Krijojnë shumë trafik realisht. Nuk e di me këto rotondot…  I kanë bërë rrugët shumë të ngushta. Shpresojmë që ato inxhinierët të kenë bërë diçka të hajrit, pavarësisht se për momentin na kanë bllokuar goxha…”,- thotë një drejtues mjeti për “DurrësLajm”.

“Rrugët e Durrësit janë skandal. Punohet ditën në vend, që të punohet natën. Punohet ditën!!! Është tmerr, tmerr i vertetë”,- thotë një tjetër.

“Faqja e zezë, faqja e zezë”,- thotë një drejtuese mjeti që është shumë e acaruar me amullinë disa mujore.

Shumë të tjerë, sidomos pronarë të bizneseve të vogla thonë jashtë kamerës se punimet kanë ndikuar edhe në uljen e xhiros. Kanë mllef për punimet që po kryhen, por refuzojnë të flasin para mikrofonit, pasi autoritetet mund të trokasin të nesërmen në derën e biznesit të tyre.

M.B.