Mitologjia ilire rilind dhe ulet këmbëkryq në sheshin kryesor të Durrësit. Në pikën lidhëse mes Velierës dhe shëtitores “Taulantia” ngrihet prej disa ditësh mjaft imponues Rodoni 9 metra i lartë. Vepra e skulptorit të njohur durrsak Ilir Xhixha është fituese e konkursit ndërkombëtar të zhvilluar nga bashkia e Durrësit.

Perëndia e lashtë mitike, mbreti i detit me kuajt e tij të pandashëm zbukuron prej disa ditësh hyrjen e shëtitores më të vizituar në qytetin bregdetar. Ashtu si dikur Rodoni i lashtë kontrollonte detin, Rodoni i Xhixhës shtrin vështrimin e tij nga projekti i Velierës dhe porti detar, ndërsa pas shpinës së tij shtrihet shëtitorja bregdetare që shërben si pikëtakimi i mijëra durrsakëve çdo ditë. Për DurrësLajm, Xhixha shpjegon pse zgjodhi pikërisht perëndinë e lashtë ilire, emrin e të cilit ka marrë Kepi i Rodonit, si figurë qendrore të skulpturës së tij 6 tonëshe dhe mesazhin që duhet të përcjellë ajo tek të rinjtë.  

Me një kombinim të ngjyrës së ndryshkut të materialit korten që simbolizon leshterikët e fundit të detit dhe inoksit shndritës që pasqyron sipërfaqen ujore, Rodoni mitik në vend të kapeles mban një anije simbol të ilirëve të lashtë, që eksploronin detin dhe vendet përreth.  

Ndërkohë, skulptura pritet të plotësohet edhe me disa komponentë të tjerë në ditët në vijim, si ndriçimi apo krijimi i shatërvanit, simbol i ujit pa të cilin nuk mund të konceptohet ekzistenca e mitikut Rodon, mbretit të padiskutueshëm të detrave.

Skulptori i njohur që jetën e ndan mes Durrësit, Italisë dhe vendeve të tjera ku janë vendosur skulpturat e tij nuk harron të rezervojë një falenderim të veçantë për kryebashkiakun Vangjush Dako, i cili sipas tij është një nga iniciatorët e shtimit të skulpturave dhe veprave të tjera të artit në hapësirat publike të qytetit. 

Një Rodon kryelartë dhe largpamës do t’i përshëndesë çdo ditë tashmë qytetarët durrsakë. Rodoni mitik dhe veliera e anijeve antike rikthejnë në vëmendjen e qytetarëve durrsakë simbolet e vjetra të Durrësit, lashtësinë mijëravjeçare të qytetit dhe zhvillimin ekonomik të ditëve të lavdishme të Dyrrahut të vjetër.

M.B.