Dy ditë pas lëkundjeve të frikshme të tërmetit që goditën Durrësin, rritet edhe më shumë numri i banesave të dëmtuara.

Nga burime zyrtare të bashkisë, mësohet se janë 353 banesa e apartamente të dëmtuara të qytetit të Durrësit dhe njësive administrative.

Një ditë më parë, në të gjithë qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij kanë qenë në terren 11 grupe konstatimi dhe verifikimi të dëmeve që shkaktoi tërmeti i së shtunës.

Ndërkohë që sot bashkia po bën një rindarje të grupeve në mënyrë që asnjë banesë e dëmtuar të mos mbetet pa u verifikuar nga specialistët.

Në videon e mëposhtme, janë edhe pamje të disa prej banesave të dëmtuara të zonës së Plazhit e të Karpenit në Maminas, të cilat i kanë dërguar vetë banorët në redaksinë e “DurrësLajm”.

Të gjithë qytetarët e Durrësit banesat e të cilëve kanë pësuar dëme, duhet t'i drejtohen njësive administrative përkatëse që regjistrojnë gjithçka dhe më pas grupet e posaçme të ngritura tashmë do të kryejnë verifikimin fizik të dëmtimeve.

Më pas do të merren edhe masat përkatëse për eliminimin tërësor të të gjitha pasojave të shkaktuara nga ky tërmet. Bashkia e Durrësit ka vënë në dispozicion të banorëve shumë njësi ku ata mund të qëndrojnë. Shtabet e emergjencës ku mund të drejtohen qytetarët e prekur nga tërmeti janë:

1. Kavalishenca e Rendit (Plepa Durres)

2. Kavalishenca e Ushtrise ( Plepa Durres)

3. Çadrat e ngritura te Stadiumi Niko Dovana

4. Qendra ditore per femije me aftesi te kufizuara prane UKD Durres

5. Qendra ditore multifunksionale Nishtulla

6. Qendra ditore e te moshuarve tek ISH URT, lagjia 17

7. Qendra ditore e shtepise se Foshnjes te lagjia nr.8