Tre turistë gjermanë kanë kërkuar ndihmë mbrëmjen e djeshme në zonën e Gjipeut, një fshat afër Vunoit. Ata kanë qenë duke eksploruar zonën, ndërsa lëshuan alarmin SOS, pasi kishin humbur në kanionet e zonës së Gjipesë.

Menjëherë janë angazhuar forcat e komisariatit të Himarës të mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat janë instaluar prej ditësh në këto zona, me qëllim ardhjen në ndihmë të turistëve të huaj.

Pas një kërkimi prej disa orësh turistët gjermanë janë gjetur në kanionet e kësaj zone, në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa në fund, kanë falënderuar Policinë, e cila ndërhyri në kohë dhe bëri të mundur shpëtimin e tyre.