Banorët e Sukthit janë ngritur në protestë sot duke kundërshtuar që të depozitohen mbetjet urbane të Durrësit në zonën e tyre.

Plehrat në Durrës kanë mbetur pa u hequr prej disa ditësh, pasi një skandal në lidhje me depozitimin e tyre ka përfshirë qytetin e dytë më të madh në vend.

Plani ishte që plehrat do të depozitoheshin në landfillin e Sharrës, ndërsa Porto-Romano do të mbyllej e do të nisin ndërkohë punimet për ta shndërruar në një park të madh.

Por për shkak të mungesës së kapaciteteve nga ana e vendorëve në Durrës, nuk është bërë e mundur që plehrat të dërgohen deri në Tiranë dhe vendosën t’i dërgonin në Sukth.

Banorët e zonës janë të vendosur për të mos i lejuar pranë zonës ku ata banojnë, që të shndërrohet në një Porto-Romano të dytë. 

1000 familje kanë firmosur peticionin për të mos lejuar depozitimin e plehrave në zonën e tyre. Peticioni i është drejtuar Drejtorisë së Mjedisit, Drejtorisë së Shëndetësisë, ish-prefektit të Durrësit Roland Xhelili, aktualisht deputet i PS-së, i cili sipas banorëve, iu kishte premtuar se aty nuk do të hidheshin mbeturina.

“Duan të na vrasin me mbeturina, duan t’i heqin nga Durrësi e të hapin një plagë akoma më të madhe këtu. Administratori i Sukthit na ka thënë që plehrat ne nuk kemi ku i çojmë dhe do ti derdhin këtu. Por përmes portaleve jemi informuar se në të vërtetë këtu do të vijnë plehrat e gjithë Durrësit. Ne nuk do e lejojmë, do bëjmë të pamundurën. Jemi gati edhe të vetëflijohemi këtu, nuk do lëmë të na vdesin fëmijët nga plehrat që do mblidhen e do digjen”, thotë një nga banorët.

“Duan të na marrin oksigjenin”.

“Këta po i bëjnë shumë jehonë koronës, por është një koronë shumë më e madhe këtu”, shprehet i irrituar banori i zonës.

Në kushtet kur Porto-Romano është mbyllur dhe në Sukth nuk i lejojnë, plehrat aktualisht kanë mbetur rrugëve e të bllokura një pjesë nëpër kamionë, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje.

Bashkia e Durrësit reagoi sot mbi këtë kolaps duke thënë se “është në bisedime me qeverinë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin se ku do të depozitohen mbeturinat e bashkisë së Durrësit. Po kështu bashkia e Durrësit i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vendpozitimin më të afërt me Durrësin”.