Struktura arkeologjike dolën në dritë gjatë punimeve të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (UKD) pranë prefekturës së qytetit, më 5 shkurt. Strukturat e evidentuara nga arkeologët janë identifikuar si të palëvizshme nga vendi.

Sipas arkeologes Brikena Shkodra-Rrugia, zbulimi i strukturave në 3 metra thellësi dhe nga materiali i pranishëm në to, datojnw përafërsisht në periudhën e Antikitetit të Vonë, rreth shekullit të V të Erës Sonë. Zbulimi që arkeologët e shohin me shumë interes për njohjen e kontekstit historik të zonës ka ekspozuar edhe një dysheme të shtruar me mermer, por që është dëmtuar gjatë periudhës së përdorimit, me gjasë nga një goditje e fortë.

“Paraprakisht është konstatuar prania e një muri që ngjason me një nishe, e cila përdorej për ekspozim skulpturash në një monument publik ose vendosje sarkofagësh në një monument religjioz, megjithatë jemi ende herët për ta përcaktuar”, shpjegoi arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia, nga Instituti i Arkeologjisë.

Strukturat arkeologjike u pikasën rastësisht gjatë gërmimeve të UKD-së. “Ne u njoftuam nga ujësjellësi për zbulimin dhe menjëherë u pezulluan punimet. Njoftuam Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe një ditë më pas ata sollën 2 arkeologë që dokumentuan zbulimin për ta përcjellë për vlerësim”, shpjegoi Alban Ramohitaj, drejtor i Qendrës Muzeore Durrës.

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pritet të vlerësojë rastin dhe mënyrën se si do trajtohet zbulimi, nëse do të vijohet me gërmim arkeologjik për të dokumentuar plotësisht strukturat e zbuluara dhe mënyrën se si do të konservohen ato.

Vitet e fundit tre investime me vlerë mbi 50 milionë euro kanë prekur të gjithë territorin e Bashkisë Durrës, duke hapur kanale në rrethinat e qytetit dhe në zonat urbane me risk të lartë arkeologjik. Zyrtarisht për punimet e ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve janë nënshkruar kontrata monitorimi arkeologjik, por më herët Porta Vendore në një hulumtim njëvjeçar në disa raste ka konstatuar mungesën e arkeologëve që duhej të mbikëqyrnin punimet.

Në kuadër të këtij hulumtimi më herët arkeologu Neritan Ceka e vendosi theksin tek rëndësia e monitorimit nga arkeologët të terrenit ku kryhen punimet nëntokësore. “Ajo që po ndodh në Durrës, ku punimet e infrastrukturës prekin shtresat arkeologjike në mungesë të monitorimit nga arkeologët, është ajo që ndodhi edhe në Pazarin e Gjirokastrës”, krahasoi Ceka.

Arkeologët e qytetit të Durrësit shprehen entuziastë për zbulimin e bërë rastësisht gjatë punimeve të ujësjellësit dhe shprehen se është me rëndësi të realizohet dokumentimi i plotë i tij, me qëllim njohjen e kontekstit të ndërtimit dhe funksionit të strukturave.

Zona është e njohur për praninë e monumenteve të antikitetit. Pranë hyrjes së bibliotekës së qytetit, në thellësinë 3 metër gjendet një mozaik antik. “Në krejt sipërfaqen janë përdorur kubikët e vegjël dyngjyrësh bardhë e zi, prej guri gëlqeror”, shkruan arkeologu Fatos Tartari, në librin e tij “Përmbledhje artikujsh e studimesh”, botuar në vitin 2008.

Arkeologët kanë zbuluar në të shkuarën gjurmë të monumenteve të kultit në zonë. Sipas tyre, mendohet se në zonën ku doli zbulimi arkeologjik gjatë punës së ujësjellësit, të jenë ngritur më herët një katedrale katolike dhe një ortodokse. Katedralja katolike mendohet se i përket Antikitetit të Vonë, rreth shekullit V dhe ajo është rindërtuar në mesjetë, rreth shekullit X. Arkeologët dyshojnë se zbulimi i ri arkeologjik mund të lidhet me pjesë të këtyre monumenteve të kultit. /portavendore