14 shtator 2015 – Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion të Shqipërisë ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës katër mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Shkak janë bërë dyshimet e familjarëve dhe Shoqatës së Avokatëve, sipas tyre të bazuara në prova, se 15-vjeçarja Kostandina Anagnosti, nuk ka vdekur në mënyrë natyrale.

Ata akuzojnë mjekët se kanë kryer ekspertime të rreme e fshehur prova, ndërkohë që babai i viktimës, Jorgo Anagnosti, ka akuzuar për vdekjen e vajzës së tij pikërisht shtetasin Spiro Papa, bashkëjetues i nënës së saj.

KALLËZIMI

Tri ditë më parë, më 11 shtator, Shoqata e Avokatëve i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës, duke kërkuar procedimin e prof. dr. Elmas Shaqirit, dr. Zija Ismailit, dr. Admir Sinoimatit dhe prof. Fatos Haritos, ekspertë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore.

 “Në kallëzim është shpjeguar ngjarja nga ku citohet se “më datën 15 nëntor 2014, në Sarandë, ka vdekur në rrethana misterioze e mitura Kostandina Anagnosti, 15 vjeçe. Vajza ka kaluar disa herë kufirin grek e pashoqëruar nga prindërit, për arsye se ata kanë qenë të ndarë dhe kujdestarinë e saj e kishte marrë nëna e vajzës, Antigoni Anagnosti. Nga ana e saj, nëna, në kundërshtim me ligjin, pa marrë miratimin e të shoqit, e kishte dërguar vajzën në një nga shtëpitë e fëmijës në Greqi. Me datën 14 nëntor, vajza ka kaluar pikën kufitare doganore, e shoqëruar nga personi i quajtur S.Papa, por pa prokurën e asnjërit prej prindërve të saj”.

Kallëzimi përshkruan të gjithë itinerarin e ndjekur nga e mitura në datën 15 nëntor, deri në orën 12:30, kur e shoqëruar nga personi Spiro Papa, u nis në drejtim të Janinës. “Në fshatin Metoq, 3.5 km nga Saranda, sipas deklaratës së S.Papës dhe sipas Policisë, vajza humbi ndjenjat dhe nuk u përmend më. S.Papa deklaron se vajza pati dridhje në trup dhe menjëherë humbi ndjenjat.

Prandaj, sipas tij, ata u kthyen menjëherë për në urgjencën e spitalit të Sarandës. Pas mbërritjes në spital, vajza ishte e pajetë dhe vdekja e saj u konfirmua sipas kartelës klinike, me numër 11717, e vitit 2014. Kjo u kartelë mban nënshkrimin e mjekut Th. Çavo”, thuhet në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori.

DYSHIMI NGA SHENJAT NË QAFË

 “Sipas familjarëve, duke pasur parasysh se në spitalin ‘Petro Nako’ të Sarandës, vajza ka arritur e vdekur, në orën 15:30, lindin dyshime të shumta për vonesën kohore, sepse distanca nga vend i ngjarjes deri në spital është vetëm 3,5 km.

Pra, kanë lindur dyshimet për vdekjen e saj, për arsye se koha prej tri orësh për të përshkruar 3.5 kilometra nuk e justifikon veprimin. Sipas procesverbalit të këqyrjes së kufomës nga mjeku, në prani të oficerit të Policisë Gjyqësore thuhet, në mes të tjerave, se në anën e pasme të qafës, në të djathtë, vihen re dërmishtje në ngjyrë të kuqe, me gjatësi 7 cm e gjerësi 3 centimetra.

Ndërsa në anën e majtë vihen re dërmishtje të çrregullta me përmasa 2×2 centimetra. Gjithashtu, në sytë e viktimës, sklerat e syrit janë të bardha. Kjo lë të dyshohet se shkaku i vdekjes nuk mund të jetë ai që deklarohet nga mjekët, pra, nuk mund të jetë hemorragjia cerebrale. Në krahun e djathtë i është gjetur një age fleksibël që është e lidhur me elikoplast”, vërehet në kallëzimin e kryer nga Shoqata e Avokatëve.

AKTI I EKSPERTIMIT

Shoqata e Avokatëve që kreu denoncimin në Prokurorinë e Tiranës vë në dukje faktin se “më datë 16 nëntor të vitit 2014, pas vdekjes, është kryer akti i ekspertimit me numër 513, nga eksperti Elmaz Shaqiri i IML-së, i cili ka bërë veprimet për të arritur në konkluzionin e shkakut të vdekjes.

Sipas ekspertizës së Shaqirit, rezulton se: Vdekja ka ardhur si rezultat i arrestit kardiak, ndalimit të punës së zemrës në terren të hemorragjisë difuze, të shprehur poshtë cipave të trurit, në brendësi të trurit dhe edemës së truri”. Por, sipas Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, çudia ka ardhur më pas, kur nga ana e ekspertit, për të mbuluar të vërtetën dhe që mos të ketë mundësi asnjë mjek tjetër të hetojë shkakun e vdekjes, janë zhdukur truri dhe mitra.

Më vonë, me vendimin e datës 2.2.2015 është kërkuar riekspertimi nga mjekët dr. Zija Ismaili, dr. Admir Sinoimati dhe prof. Fatos Harito, të cilët kanë kryer aktin e ekspertimit me numër 510 (akti i mëparshëm mban numrin 513, ndërsa i dyti 510).

Sipas tre ekspertëve, ata kanë bërë ekspertimin, por nga ekzaminimi mikroskopik i mitrës nuk u konstatua hemorragji, por konçestion i vazave të gjakut (lindin dyshimet lidhur me aktin e ekspertimin se mitra dhe truri nuk kanë pasur se ku të gjendeshin pasi janë zhdukur qysh më parë në mënyrë misterioze).

EKSPERTËT GREKE

Faktet denoncuese vijojnë më tej me ekspertimin e kryer nga mjekët grekë. Me kërkesën e babait, u është kërkuar autoriteteve greke që, para varrimit, t’i bëhej një ekspertim në spitalin e Janinës. Ky ekspertim u bë nga mjeku ligjor grek Theodhori Vujukllaqis, më 17 nëntor të vitit 2014.

 “Sipas ekspertit grek, shkaku i vdekjes është i papërcaktuar për arsye të heqjes së organeve bazë, nga autopsitë e mëparshme. Sipas tij nuk u gjendën truri, truri i vogël, laringu, trakea, bronket, ezofagu, stomaku, mbiveshkorja e majtë, organet genitale të brendshme dhe pothuajse më shumë se gjysma e zemrës.

Në kampionet e lëngjeve biologjike, nëpërmjet një analize toksikologjike, u zbulua lidokainë, me përqendrime mjaft të larta krahasuar me përqendrimet kurative.

Sipas mjekut, kjo lë për të dyshuar se në trupin e vajzës përpara vdekjes janë kryer injeksione me anestezi, si lidokainë. Nga kjo dyshohet se vajza ka qenë shtatzënë dhe ka kryer një abort të sforcuar, në një nga klinikat. Marrë nga gazeta “Panorama”

/portali DurresLajm/