Alarm për bombën në shkollën private “Turgut Ozal”. Nxënësit e shkollës mësohet se janë evakuar, ndërsa prindërit janë lajmëruar për situatën.

“I nderuar prind, Ju informojmë se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë! Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare”, shkruhet në mesazhin drejtuar prindërve nga stafi i shkollës.

Burime nga policia bëjnë me dije se ka pasur një alarm për bombë në shkollën private “Turgut Ozal”. E-mail iu është dërguar sekretares së shkollës, ndërsa mësuesit dhe nxënësit janë evakuar.

Në shkollë kanë shkuar forcat xheniere dhe nga verifikimi i policisë nuk ka rezultuar asgjë.

Krimi kibernetik ka nisur hetimet për të zbuluar adresën e dërgimit të e-mailit.Edhe pse nuk ka rezultuar asgjë, pasi janë bërë verifikimet policia ka qëndruar tek “Turgut Ozal” për arsye sigurie.