Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ftuar në emisionin “Frontline”, i është përgjigjur pyetjes lidhur me mënyrën sesi do të bashkohen tre grupet e deputetëve që  janë krijuar nga përplasjet në selinë blu.

Vokshi iu përgjigj moderatores Marsela Karapanço duke thënë se ajo dhe Grupi i Rithemelimit janë pro bashkimit dhe ka shpresë se herët apo vonë kjo do të ndodhë.

“Opozita e vërtetë janë vetëm pak deputetë dhe unë kam shumë shpresë. Ne duam të bashkohemi dhe kam shpresën se do jemi bashkë. Jemi të hapur, dyert i kemi hapur çdo ditë’, u shpreh Vokshi.

Por më tej ajo shtoi se në këto momente opozita e vërtetë është e atyre që votuan në zgjedhjet për kreun e PD dhe se deputetët e drejtuar nga Alibeaj duhet të shkojnë në takime me bazën dhe t’i dëgjojnë problemet e demokratëve.

“43 mijë kanë dalë të votojnë për kryetar Sali Berishën. Nuk do dëgjojmë këtë pseudo-opozitën e Edi Ramës. Shumica e këtyre deputetëve kanë marrë pjesë në garë kanë qenë aty ulur me bazën dhe kanë qenë pjesë e procesit. Unë i ftoj të dëgjojnë zërin e votuesve nga ata vijnë dhe jo zërin e Albanës dhe Saliut. Ata të shkojnë të ulen me demokratët dhe ta çojnë zërin e tyre ne Parlament”, tha Vokshi.