Në galerinë fotografike të studiuesit Sali Hidri shfaqen momentet historike dhe personalitetet që kontribuan për lëvizjen kombëtare

 

Rreth 10 muaj punë iu deshën historianit durrsak Sali Hidri për të ideuar dhe botuar albumin e tij historik “Durrësi, në lëvizjen kombëtare shqiptare”. Në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë historiani mendoi t’i bënte një dhuratë të bukur qytetit të tij dhe të risillte në kujtesën e durrsakëve disa nga personalitetet dhe patriotët që me punën dhe kontributin e tyre dhanë aq shumë për qytetin bregdetar.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për historinë e vendit tonë Hidri mbledh në faqet e një albumi fotot e atdhetarëve durrsakë, që në ato vite të para të shekullit të kaluar bënë realitet ëndrrën e shqiptarëve, ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë. Në ato vite të largëta, por mjaft domethënëse data 26 nëntor 1912, është ndoshta një nga ditët më të rëndësishme të historisë 2000 e ca vjeçare të qytetit antik. Në krye të herës Durrësi ishte qyteti ku plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, mendoi të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

Por për shkak të pasigurisë që ofronte qyteti bregdetar plani i Qemalit u zhvendos drejt Vlorës. Nëse do të vendosej që pavarësia të shpallej në Durrës ajo do të sabotohej nga elementi turkoshak. Më 22 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe patriotët durrsakë bënë përpjekje për ta ngritur flamurin në Durrës, gjë që u pengua nga prefekti turkoshak Masar Beu dhe dhespoti grek Jakovi. Në këtë kuadër historik, kur Shqipëria rrezikonte të shpërbëhej lëvizja atdhetare përpiqej fort për të mbajtur gjallë frymën patrotike.

“Patriotët durrsakë të lëvizjes atdhetare ishin të pakët në numër. U përkisnin profesioneve dhe shtresave të ndryshme. Kishin përqafuar idenë e rilindasve për mësimin e gjuhës amtare dhe idealin e mëvehtësisë. Ju kundërvunë elementit turkoshak e grekoman, si dhe politikës së autoriteteve xhonturke”,- shkruan Hidri në faqet e para të albumit të tij.

Kjo sintezë e Hidrit për lëvizjen patriotike në 20 vitet e para të shekullit XX pasohet nga portretet e më shumë se 30 atdhetarëve durrsakë, me kontributin e të cilëve u formuan shoqatat e para patriotike, u ngrit flamuri më 26 nëntor 1912 si dhe u hapën shkollat e para në gjuhën shqipe në qytetin tonë. Si për ta theksuar edhe më shumë veprimtarinë atdhetare të këtyre personaliteteve si: Neki Libohova, Stefan Kaçulini, Hafiz Ali Podgorica, Agostin Serreqi, Andrea Konomi, Sotir Margariti e të tjerë figura të njohura, në krah të fotove të tyre qëndron vula e përdorur nga patrioti Stefan Kaçulini, në të cilën dallon mjaft qartë shqiponja dykrenare dhe shkrimi Rroft Shqipëria e Lirë.

Duke iu referuar autobiografisë së Stefan Kaçulinit Hidri sjell në album një pasazh që hedh dritë mbi funksionin e vulës. “Për ma tepër në kët kohë (1909-1910) në tregtoren time hapa nji librari, e cila u ba vendi i takimit të atdhetarëve të pastër, e ku kisha mbledhë gjithfar botimesh në gjuhën shqipe. Në kët tregtore, ku kisha edhe fletore e sende shkolle, shpërndaja disa flamuj të vegjël si dhe fletoret e nxanësve të vulosun me këtë vulë: të cilën e ruaj ende”,- thotë Kaçulini në autobiografinë e tij, e shkruar në vitin 1937.

Patriotët durrsakë të lëvizjes atdhetare ishin të pakët në numër. U përkisnin profesioneve dhe shtresave të ndryshme. Kishin përqafuar idenë e rilindasve për mësimin e gjuhës amtare dhe idealin e mëvehtësisë. Ju kundërvunë elementit turkoshak e grekoman, si dhe politikës së autoriteteve xhonturke

Megjithëse do të duheshin edhe rreth 2 vite deri në pavarësinë e Shqipërisë, atdhetarët durrsakë, duke iu bashkuar edhe atyre që ushtronin veprimtarinë e tyre në qytete apo shtete të tjera, po hidhnin themelet e asaj që më vonë do të kulmonte me shpalljen e mëvetësisë së vendit. Krahas sjelljes në vend të librave shqip, atdhetarët durrsakë do të punonin edhe për futjen e gjuhës shqipe në shkollën turqishte, veprim që u bë i mundur në vitin 1909. Mësimi i gjuhës shqipe iu ngarkua Sali Nivicës.   

Përmes shpjegimeve shumë konçize Sali Hidri ka dokumentuar në këtë album momentet më domethënëse të viteve që pararendën dhe pasuan shpalljen e pavarësisë. Duke u ndalur tek ky moment kulmor i historisë së çdo kombi, historiani Hidri përmend emrat e Dom Nikoll Kaçorrit, Abaz Çelkupës, Mustafa Bashës dhe Jahja Ballhysës, 4 delegatëve të Durrësit për në Vlorë.

Në shpjegimin që Hidri jep për këtë moment të rëndësishëm nënvizohet fakti se delegatët e Durrësit ishin përfaqësues të grupeve të ndryshme shoqërore: “Dom Nikoll Kaçorri përfaqësonte gjithë popullsinë katolike të dioqezës, Abaz Çelkupa vegjëlinë dhe nënpunësinë e qytetit, Jahja Ballhysa parinë e qytetit, kurse Mustafa (Hanxhiu) Basha pronarët”. Në procesverbalin e shpalljes së pavarësisë dallohet firma e dy prej delegatëve durrsakë; Dom Nikoll Kaçorrit dhe Abaz Dilaverit (Çelkupa).

Në album gjejnë pasqyrim edhe dy dokumente mjaft të rëndësishme për historinë e qytetit në ato ditë. Akti i përfaqësimit dhe telegrami i patriotëve durrsakë për ngritjen e flamurit në Durrës marrin një rëndësi më të madhe në këto ditë, kur kryeministri Sali Berisha deklaroi në një mbledhje qeverie se sipas dokumentit të dorëzuar nga një historian pavarësia e vendit ishte firmosur nga Ismail Qemali jo në Vlorë, por në Durrës. Ndërsa është skeptik për ekzistencën e një dokumenti të tillë, Hidri nënvizon se akti i përfaqësimit dhe telegrami drejtuar konsullatave të huaja dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë flet për kontributin aktiv dhe mjaft të rëndësishëm që dha Durrësi dhe patriotët e tij për këtë moment me rëndësi historike kombëtare.

Dokumenti që mori emrin Akti i përfaqësimit dhe mban firmën e 31 përfaqësuesve zyrtarë të popullit të Durrësit doli nga mbledhja e 23 nëntorit 1912, datë kur u zhvillua takimi i përfaqësuesve që zgjodhi delegatët e qytetit që do merrnin pjesë në shpalljen e Pavarësisë. Me këtë akt u legjitimuan tre delegatët e qytetit për në Kuvendin e Vlorës, ndërsa Dom N. Kaçorri ishte përfaqësues i besimtarëve katolikë. Po ndërsa qyteti zgjodhi përfaqësuesit e tij për kuvendin e organizuar nga Ismail Qemali, qyteti po përgatitej për një ngjarje tjetër mjaft të rëndësishme të tij; ngritjen e flamurit më 26 nëntor.

Patrioti Stefan Kaçulini së bashku me Veli bej Jubën etj përgatitën flamurin kombëtar, i cili u ngrit nga Hafiz Ali Podgorica, që ishte kryetar i bashkisë së qytetit. Ngritja e flamurit në Durrës nuk qe jetëgjatë pasi në 28 nëntor ai u ul prej serbëve. Gjithsesi me këtë akt qyteti u rreshtua në rradhën e kryeqendrave shqiptare që zbatuan porosinë e plakut të Vlorës. Për të lajmëruar qytetet shqiptare dhe përfaqësitë e huaja për ngritjen e flamurit, 22 qytetarë durrsakë firmosën telegramin që përmbante lajmin e gëzueshëm, shpalljen e indipendencës.

Në telegramin nr. 13300, 13 vjeshtë e tretë 26 nëntor 1912 shkruhet: “Popullit të ndershëm të qytetëvet Elbasan, Berat, Janinë, Delvinë, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Starovë, Përmet. Ju japim lajmin e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndije, ndashti shpallëm indipendencën, n emën të kombësiësë tonë të shënjtë e të gjithë Shqipniës. Nga memorandumet që u shkruam, njani iu dha konsulit t Austriës tjetrit konsulit të Francës dhe i treti po atij t ë Austriës, si përfaqësues të shtetit italian. Ju bëjmë me ditë se nesër do bahet ceremonia e zakonshme”.      

Një objekt tjetër me mjaft rëndësi historike e që pasqyrohet përmes një fotoje në album është vula e bashkisë së Durrësit. Përveç vlerës historike që ka ky objekt ai merr një rëndësi të veçantë për vetë simbolikën që mbart shkrimi dhe dizenjo e tij. Në prag të shpalljes së Pavarësisë, si për të konfirmuar edhe më shumë angazhimin e të gjithë patriotëve dhe popullit durrsak për këtë ngjarje me rëndësi kombëtare vula kishte në qendër të saj shqiponjën dy krenare, të rrethuar nga shkrimi: Këshilla e Katundarisë Durrës 12.10.1912.    

Albumi vjen në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, duke u krijuar kështu mundësi edhe të huajve të njihen më nga afër me historinë 100 vjeçare (1912-2012) të Durrësit dhe figurat e njohura patriotike e jo vetëm që Hidri sjell përmes një galerie të larmishme fotosh. Në faqet e fundit të albumit një rëndësi e madhe i është kushtuar arsimit, mësuesve të parë meshkuj dhe femra që kontribuan për hapjen e shkollave të para shqipe dhe mësimin e brezave të tërë nxënësish durrsakë.