Chelsea po përgatit një ofertë për mesfushorin Granit Xhaka, me kërkesë të trajnerit të ri Xabi Alonso, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e “Bluve” më 1 korrik.
Sipas gazetarit italian Luca Cerchione, Alonso ka kërkuar personalisht transferimin e Xhakës, me të cilin bashkëpunoi te Bayer Leverkusen, ku fituan Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë gjatë sezonit 2023/24.
Raportohet se Chelsea është gati të paraqesë një ofertë prej 30 milionë eurosh për 33-vjeçarin, i cili iu bashkua Sunderlandit në verën e vitit 2025 dhe zhvilloi një sezon shumë të mirë në Premier League.
Xhaka ishte një nga lojtarët kyç të Sunderlandit, duke regjistruar një gol dhe gjashtë asistime në 34 paraqitje, ndërsa ndihmoi skuadrën të siguronte vendin e shtatë dhe kualifikimin në Europa League.
Mesfushori zviceran ka kontratë me Sunderlandin deri në vitin 2028, por Chelsea synon ta transferojë gjatë kësaj vere. Interesim për ish-futbollistin e Arsenalit kanë shfaqur më herët edhe Manchester United, me legjendën Peter Schmeichel që e ka cilësuar Xhakën si liderin ideal për “Djajtë e Kuq”.





