12 janar 2013 – Tre muajt e parë të eksperiencës së saj si nënë dhe jeta larg televizionit. Ami Toska tregon në këtë intervistë të parë për vitin 2014 se si e ka kapërcyer psikologjikisht periudhën pas lindjes, festa që organizoi për Joelin një natë para ndërrimit të viteve në shtëpinë e saj dhe planet për të rinisur punë në ekran. Në këtë rrëfim, Ami flet për regjimin që po mban për të rikthyer trupin në formë dhe se si një çift artistësh si ajo dhe Ermal Mamaqi ia dalin të fitojnë dhe të jetojnë mirë.
Nata e ndërrimit të viteve të gjen për herë të parë nënë. Çfarë dhurate i bëre djalit Joel, po Ermalit?
Këtë vit ishte ndryshe përjetimi i festave, lumturi e shumëfishuar në fakt kur në mesin tonë ishte edhe Joeli. Më datë 30 dhjetor, djali mbushi 3 muaj dhe unë organizova një festë në shtëpi, e cila ishte përmujori i Joelit nën atmosferën e Vitit të Ri. U mora me të gjitha detajet vetë dhe me një dëshirë shumë të madhe. Në fakt, përjetimi ishte ndryshe nga qindra organizime të bëra në agjenci. Nga dekorimi me tematikë i shtëpisë, me menynë e kateringut, torta, elementet argëtuese, të gjitha u menduan me shumë dashuri dhe kjo ishte dhurata ime për Joelin, e cila do mbetet e memorizuar në foto e video si festa e parë e tij. Ndërsa unë dhe Ermali, dhuratë njëri-tjetrit zakonisht i bëjmë pushimet e dimrit ose diçka që blihet aty ku shkojmë. Këtë vit ende s’po vendosim ku do ta bëjmë këtë ndalesë…
Thuhet se fëmija në jetën e një çifti i bën ata të harrojnë njëri-tjetrin. Nga eksperienca juaj si po e përjetoni?
Personalisht nuk më duket kështu, sepse të bëhesh me fëmijë do të thotë më tepër kohë, biseda, përkushtim, dashuri, çaste lumturie, të cilat përjetohen pikërisht në çift.
Je bërë posesive ndaj djalit? Sa orë ke mundur të qëndrosh larg tij këta muaj të parë të sjelljes në jetë?
Posesive nuk do të doja të bëhesha kurrë. Mendoj që ndikon negativisht në anën emocionale si të nënës, ashtu edhe të fëmijës, sidomos kur ai fillon të rritet dhe të kuptojë. Orari më i gjatë larg tij këto ditët e fundit ka qenë 6 orë. Kur jam në makinë duke u kthyer për në shtëpi, më kap një ngazëllim i madh vetëm kur mendoj që do e shoh duke më qeshur… Ah, s’ka gjë më paqësore në botë!
Vajzat e ekranit pas lindjes përballen me sfidën e rikthimit të trupit në formë. Ti çfarë po bën për të rifituar linjat e dikurshme?
Sapo kalova tremujorin e parë, periudhë në të cilën nuk mund të bëja asnjë sforcim për të rënë në peshë, duke qenë se ndikon në ushqyerjen me gji të fëmijës. Këtë muaj kam filluar një regjim tredimensional me palestër, dietë të përcaktuar nga dietologia dhe trajtimet e trupit që ndihmojnë arritjen e rezultatit të dëshiruar.
Pas lindjes flitet për një periudhë të vështirë depresioni te femrat. Ti si je ndier dhe kush të ka ndihmuar për të qenë mirë psikologjikisht?
Po, është i njohur shkencërisht depresioni post-partum dhe, të them të drejtën, i frikësohesha pak para se të lindja, sepse mendoja që do të isha me vulnerabël ndaj tij, duke qenë se nga një jetë tepër aktive dhe në lëvizje, gjërat do të ndryshonin… Unë isha e përgatitur psikologjikisht për këtë ndryshim në fakt dhe e prita të më ndodhte, por nuk e ndjeva. Fatmirësisht pas lindjes pata vetëm ndjesi pozitive, që më bënë të harroj, madje dhe ankthin e pashmangshëm të çdo nëne të re në muajt e fundit të shtatzënisë. Mbështetje të madhe sigurisht kam pasur nga familjaret e mi, të cilët ma bënë më të lehtë periudhën fillestare.
E një nga pritshmëritë e publikut për ty është të rishfaqesh sërish në ekran me një program. Ku dhe si do të të shohim këtë vit?
Është ende herët të them angazhimin tim të radhës në televizion. Por ajo që mund të deklaroj, është se sa më shumë kalon koha, aq më shumë rritet përgjegjësia për të bërë diçka që ia vlen vërtet.
Edhe si mama mund të jesh seksi
Një nënë me fëmijë mund të jetë njësoj seksi dhe joshëse ashtu siç ka qenë vajzë?
Shikoni, një gjë është e sigurt. Nëse ka qenë seksi më përpara, me pak punë do të vazhdojë të jetë sërish femër seksi dhe tërheqëse. Nëse nuk ka qenë, mund të bëhet edhe më keq (qesh).
Tashmë që s’je më beqare, do të vazhdosh të veshësh fustane nusërie?
Nuk ka të bëjë me të qenët nënë apo jo. Unë përfaqësoj personin tim publik në forma të ndryshme, sipas detyrës. Në këtë rast jam imazh i kompanisë dhe sigurisht do përfaqësoj produktin e kësaj kompanie.
U ndjeve ndonjëherë xheloze për “Femrat” e Ermalit te seriali ku ai luan?
Xheloze jo, e interesuar po.
Çfarë sheh të përbashkët me Ermalin që ti njeh, me atë të filmit komedi?
Spontanitetin.
Jeni bërë më të pasur me humorin që prodhon Ermali, pra blihet shtrenjtë humori në Shqipëri?
Mendoj që gjërat kanë ndryshuar për artistët e, nëse vlen dhe gjen pozicionin e duhur, paguhesh shumë më mirë sesa në profesione të tjera. Një gjë është e sigurt, që humori po vlerësohet gjithmonë e më shumë dhe tendencat janë për ta bërë pjesë integrale në pjesën më të madhe të projekteve.
Se sa jemi pasuruar pastaj, pak vështirë t’jua them (qesh).
Nusen e djalit tënd, një ditë do kujdesesh ta vishje me fustanet e tua?
Nëse e keni fjalën për fustanet e agjencisë, nusja e djalit nuk do të veshë fustanet e mia, sepse do i ketë të vetat…
Kur të rritet do të dëshiroje ta quanin Joeli i Amit, apo Joeli i Ermalit?
Jo, dua të quajnë thjesht Joeli.
/ panorama plus /





