Karlo Ançeloti do të jetë trajneri i ardhshëm i Brazilit. Prestigjiozja “Marca” zbuloi dje se palët kanë arritur akordin dhe se italiani është gati të ulet në pankinën e “seleçaos”. Ndërkohë sot janë zbuluar detajet e kontratës që Ançeloti do të firmosë me 5 herë kampionët e Botës. Ai do të firmosë në fillim të qershorit përpara ndeshjeve kundër Ekuadorit dhe Paraguait. Në vitin 2023, Brazili i ofroi një pagë prej 10 milionë eurosh italianit, praktikisht e njëjtë me pagën e tij aktuale në Madrid.
Trajneri do ta udhëheqë Brazilin deri në Kupën e Botës 2026, por me opsionin për të rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2030. Karlo do të ketë mbështetjen e Rodrigos, Vinicius, Militao, Endrik dhe Rafinja, lojtarë që pritet të marrin rolin udhëheqës të ekipit në epokën e re. Nejmar ka qenë gjithashtu çelësi i ardhjes së trajnerit, por vazhdimësia e tij varet në fije të perit për shkak të lëndimeve të tij të fundit. Numri dhjetë do të ketë një vend në Kupën e Botës 2026, por vetëm nëse forma e tij do të vazhdojë mirë.