11 mars 2015 – Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, Carlo Ancelotti u shpall kampion Bote me Realin, pasi fitoi ndeshjet e 22-të radhazi në krye të Los Blancos. Ky ishte trofeu i katërt i fituar nga trajneri italian në krye të klubit madrilen. Më 10 mars 2015, pas më pak se tre muajsh, në Twitter ka spikatur hashtagu #Ancelottiveteya i shoqëruar me #Ancelottidimision. 55-vjecari nga ana e tij nuk justifikohet, ai u shpreh pas ndeshjes se Reali tregoi limitet e tij, në aspektin mbrojtës dhe fizikisht. Ndërsa, përsa u përket vërshëllimave të Santiago Bernabeut, u shpreh se ato duhen pranuar kur janë të merituara ndërsa për aktivizimin e Modric-ut u shpreh: "Një lojtar nuk mund t'i ndryshojë i vetëm gjërat. Jemi nën presion dhe fatkeqësisht nuk po dimë të reagojmë. Nëse luajmë siç kemi luajtur deri në dhjetor, mund të fitojmë kampionatin dhe Champions-in, por nëse nuk ndryshojmë sjellje, do ta mbyllim sezonin pa trofe".
Analiza e Ancelotti-t është e qartë dhe e ndershme, italiani nuk kërkon të gjejë alibi. Mjaft domethënës edhe deklaratat e Cristiano Ronaldos në zonën miks pas përfundimit të takimit me Schalken. "Nuk do të flas më deri në fund të sezonit". Sigurisht që 30-vjecari nuk e ka me shtypin, por me tifozët e Realit. Portugezi nuk arrin ta kapërdijë kontestimin e mbështetësve të Los Blancos. Por cfarë ka ndodhur 80 ditët e fundit për t'u harruar kaq shpejt trofetë e fituar nga Ancelotti? Gjithçka lidhet me rezultatet. Nga eliminimi nga Atletico e Madridit në Kupën e Mbretit, deri te parakalimi i Barcelonës në krye të la Ligas. Në planin e lojës është ndier shumë mungesa e Luka Modric dhe e James Rodriguez, ç'ka sollën edhe kritikat e para të tifozëve për fazën sulmuese, e sidomos vërshëllimat ndaj Bale në sfidën ndaj Schalkes, që u refkektuan edhe me zemërimin e Ronaldos.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





