Carlo Ancelotti mori një diplomë nderi në master në “Shkenca dhe teknika të aktiviteteve motorike parandaluese dhe të adaptuara” nga Universiteti i Parmës.
Përpara një publiku studentësh, trajneri i Real Madridit nuk e fshehu emocionin për vlerësimin e rëndësishme.
Të pranishëm ishin edhe Arrigo Sacchi dhe ish-drejtori sportiv i Milanit, Ariedo Braida.
Tema e prezantuar nga Ancelotti titullohet “Futbolli, një shkollë jete”.
“Unë e marr këtë diplomë dhe disa do të thonë se kam marrë pak provime. Në realitet kam marrë shumë dhe çdo tre ditë bëj më shumë. Provime, në të cilat jam gjykuar, prandaj duhet të përgatitem. Kur më quajnë doktor, më pëlqen, do t’u them lojtarëve të mi ‘mund të më quash doktor’”, deklaroi Don Carlo.
Më tej ish-trajneri i Milanit, shpjegoi se futbolli i ka mësuar gjithçka në jetë, ndërsa nuk e konsideroi punë, por pasion.
“Sporti ishte një shkollë e madhe e jetës për mua. Më mësoi të konkurroja dhe të krahasoja veten për të përmirësuar kufijtë e mi. Konkurrenca me të tjerët nuk ndihmon shumë. Humbja, në sport si në jetë, të mëson më tepër. Karakteri im më ka ndihmuar. Futbolli më ka mësuar shumë gjëra: marrëdhëniet me njerëzit, respekti për të tjerët, respektimi i rregullave, respektimi i autoritetit (trajnerë, menaxher, president), kohë, kufij, të dish të dëgjosh. Është e pamundur të përmirësosh talentin: ose e ke ose jo. Maradona kishte një talent të madh, nuk mund ta mësoje të driblonte më mirë. Mund ta mësoje ta menaxhojë më mirë. Kampioni i madh arrin të vërë talentin e tij në shërbim të të tjerëve. Unë kam 44 vjet në këtë mjedis: futbolli për mua është një pasion i madh, jo një punë”, u shpreh Carlo Ancelotti.