Aktorja fituese e çmimit Oscar, Angelina Jolie, ka shprehur indinjatën e saj pas vendimit të administratës së Trump që vendosi të pezullojë fondet për ndihmë humanitare të USAID në fillim të këtij viti.
Nga tapeti i kuq në ceremoninë e Filmit në Kanë, aktorja hollywood-iane, e cila i kushtoi mbi 20 vjet shërbim agjencisë së OKB-së për Refugjatët u tha mediave se do të reagojë më shumë dhe do të udhëtojë në rajonet që përballen me krizë të rëndë humanitare.
“Nuk mendoj se ky është vendi i duhur, por kam shumë për të thënë. Do të them shumë më tepër dhe do të udhëtoj vetë në rajone, është kaq serioze, më zemëron shumë ky vendim”, tha aktorja.
Ajo ishte gjithashtu ambasadore e Vullnetit të Mirë nga viti 2001 deri në vitin 2012 dhe më pas si e Dërguar e Posaçme nga viti 2012 deri në vitin 2022. Nga Kana, Jolie tha se do t’u ofrojë këshilla aktorëve të rinj për karrierën e tyre në të ardhmen.
Në fillim të këtij viti, Administrata e Trump shkurtoi shpenzimet e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar duke shkaktuar pakënaqësi.