Goglat sollën për tifozët sfida spektakolare në Champions League në fazën çerekfinale, mbi të gjitha sollën një finale të parakohshme, Man.City-Real Madrid. Kjo është një sfidë e veçantë për një trajner si Pep Guardiola, për teknikun katalunjas kjo ndeshje ka shijen e një “El Clasico”:

“Është bërë si traditë tashmë, kjo është hera e tretë që përballemi me mbretëreshën e këtij kompeticioni, Real Madrid. Nuk ka rrugë tjetër, vetëm t’i mposhtim. Shpresoj që në ato dy ndeshje të arrijmë në kushte optimale”, u shpreh Guardiola.

“Nëse dëshiron të fitosh këtë trofe atëherë duhet të mposhtën rival si Man.City. Ata mund të jenë më të mirë se ne, por këtë duhet ta tregojnë në fushë, i njëjti diskutim edhe ne. Nuk ka favorit në këtë sfidë”, theksoi Ancelotti.

Mediat angleze i kanë kushtuar faqet e para shortit të Champions League, kjo edhe për faktin se protagonistë në këtë fazë është jo vetëm Bellingham, me yllin anglez që sfidon Man.City, por një tjetër rival i madh që kërcënon anglezët është kapiteni i “tre luanëve”, Harry Kane. Bayern Munich-Arsenal ishte përballja tjetër që rezervuan goglat. Fituesit e këtyre dy sfidave do të përballet më pas ndërmjet tyre në gjysmëfinale të Champions League.